Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partitë politike duhet ta respektojnë vullnetin e qytetarëve pas zgjedhjeve të 7 qershorit, derisa e ka quajtur “absurde” që subjekte të tjera të kenë kërkesa “paralele” me ato të partisë fituese.
Kusari-Lila ka kërkuar “maturi konform rezultatit zgjedhor” nga përfaqësuesit politikë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Është paksa absurde për parti që, në raport me peshën politike dhe besimin që marrin nga qytetarët, të kenë kërkesa të krahasueshme ose paralele me partinë fituese. Kjo qasje po e sjell këtë ngërç, në të cilin pritjet, kërkesat dhe dëshirat po shkojnë mbi mundësitë apo mbi mandatin që këto parti marrin nga qytetarët. Respektimi i vullnetit qytetar është krejt çka duhet për të pasur institucione të formuara pas 7 qershorit, është respektimi i vullnetit të qytetarëve të shprehur më 7 qershor”, ka thënë ajo në konferencë për media.
Kusari-Lila ka theksuar se kompromisi politik nuk mund të shkojë deri te kërkesa për pushtet.
“Unë e kuptoj kërkesën për kompromise politike, por përtej asaj që kanë vendosur qytetarët me votë, është e pakuptimtë të kërkohet të merret pushtet në tavolinën e negociatave”, shtoi ajo.
Ratifikimi i marrëveshjes së tregtisë së lirë me vendet e EFTA-s, dakordimi i 30 milionë eurove investime për parqet industriale dhe mbështetja direkte për 54 biznese ishin prej punëve që Kusari-Lila i prezantoi si të arritura në 100 ditëshin në krye të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit.
Ajo tha se marrëveshja me EFTA-n, përbën një hap të rëndësishëm ekonomik për Kosovën, pasi përfshin edhe tregtinë e shërbimeve.
“Kjo është marrëveshja e parë nga shtetet e rajonit që përveç tregtimit të mallrave përfshin edhe tregtimin e shërbimeve. Ka një rëndësi të veçantë për ne për faktin se me shtetet si Zvicra kemi një bilanc pozitiv tregtar, me të cilin më shumë shesim apo eksportojmë shërbime sesa që importojmë”, deklaroi Kusari-Lila.
Ajo bëri të ditur se gjatë kësaj periudhe janë proceduar edhe projektligje që lidhen me inovacionin, ndërmarrësinë dhe pagesat e vonuara në transaksionet tregtare, si dhe kanë nisur procedurat për krijimin e agjencisë së re për ndërmarrësi dhe inovacion.
“Kemi miratuar ligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në rast krizash ekonomike, ndërsa kemi arritur që në qeveri dhe në komisionin parlamentar para se të shkojë në Kuvend, në komisionin për zhvillim ekonomik të miratojmë projektligjin për inovacion dhe ndërmarrësi. Projektligj ky i rëndësisë së veçantë për, në veçanti si objektiv i përcaktuar për planin e rritjes së Bashkimit Evropian. Gjithashtu kemi dorëzuar për miratim edhe një projektligj tjetër me rëndësi të madhe për bizneset e vogla dhe në veçanti bizneset prodhuese vendore, atë për pagesat e vonuara në transaksionet tregtare”, tha ajo
Në kuadër të zhvillimit industrial, ministrja në detyrë tha se janë nënshkruar marrëveshje për zhvillimin e parqeve industriale në Mitrovicë, Lipjan, Drenas, Podujevë dhe Shtime, ndërsa kanë filluar përgatitjet edhe për parkun industrial në Gjilan. Sipas saj, për zhvillimin e këtyre parqeve janë dakorduar me 30 milionë euro investim.
Në mbështetje të sektorit privat, ajo tha se ministria ka ofruar grante për 54 biznese në fushën e digjitalizimit, inovacionit, certifikimit dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.
Ajo paralajmëroi edhe lansimin e platformës “Blej Sigurt” gjatë muajit korrik, platformë që sipas saj, do t’u mundësojë qytetarëve të raportojnë parregullsitë në treg.
E pyetur lidhur me deficitin tregtar dhe rritjen e importeve nga Serbia, Kusari-Lila tha se konsumi i mallrave serbe nuk është në rritje.
“Në përgjithësi, konsumi i mallrave të përgjithshëm nga Serbia nuk është në rritje, dhe ky është lajm pozitiv…Çka është shumë e rëndësishme për ne, është fokusi i rritjes së zëvendësimit të mallrave të importuara në përgjithësi, ndërsa fokusi i uljes së deficitit tregtar, që po, pajtohem, është i lartë, dhe ne na jep një presion dhe një shtytje të veçantë fakti që duhet të punojmë më tepër për promovimin edhe të prodhimit vendor, edhe të zëvendësimit të mallrave të importuara, ndërsa hapi i parë dhe më i shpejtë me të cilin jemi duke bërë analizat që mund të zëvendësojnë produktet e importuara ka të bëjë me të gjitha kontratat në prokurimin publik. Sikur përmes kontratave në prokurimin publik, para prodhimeve vendore t'u jepet përparësi prodhimeve të tjera të importuara apo shërbimeve. Por me këtë, duhet në të gjithë spektrin e ndihmës për prodhuesit vendorë, duke filluar nga rritja e cilësisë, konkurrueshmëria në çmime, dhe masat e tjera”, tha ajo.
Ndërkaq, duke folur për çështjen e njehsorëve dhe kompensimin e qytetarëve nga KESCO, ajo tha se ministria ka shqiptuar gjoba që arrijnë vlerën rreth 200 mijë euro për keqpërdorime dhe njësorë të skaduar, ndërsa kompensimi i qytetarëve mbetet përgjegjësi e Zyrës së Rregullatorit për Energji.
“Sa i përket çështjes së njësorëve, Ministria ka qenë shumë aktive me inspektoratin dhe Agjencinë e Metrologjisë. Tashmë nëse nuk gaboj është afruar deri në 200 mijë vlera e dënimeve që janë bërë përkatësisht në raport me njësorët të cilët kanë qenë të skaduar ose ka pasur keqshfrytëzim… 14:55… Prej anës tonë tek mbrojtja e konsumatorit dhe tek vendosja e gjobave për mosrespektim të rregullës për shërbim të mirëfilltë nga ana e KEDS-it të KESCO-s, janë kryer obligimet. Pjesa tjetër tash është te agjencia e cila merret me rregullimin e dinamikës në tregun e energjisë”, tha ajo.
Kusari-Lila shtoi se ministria ka mbështetur edhe 55 kompani kosovare në shtatë panaire ndërkombëtare në Gjermani, Francë, Zvicër, Turqi dhe Itali, ku janë promovuar mbi 1100 produkte “Made in Kosova”.