Arbëri

Kurtit i kërkohet të ketë më shumë zëvendësministra, RRGK-ja e zhgënjyer me numrin e vogël të grave

Kryeministri Albin Kurti ka emëruar 18 zëvendësministra nga 30 gjithsej sa kishte deklaruar se mund t’i ketë Qeveria e tij. Por KOHA merr vesh se brenda Qeverisë ka kërkesa për përfshirje më të madhe nëpër ministri nga komunitetet të cilat janë bërë pjesë e Qeverisë. Megjithatë, emërimi i 18 ministrave, prej tyre vetëm 4 gra, po shihet zhgënjyes nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës.

Mbi dy javë prej formimit të Qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka emëruar 18 zëvendësministra.

Gjatë fushatës dhe pas saj, Kurti kishte deklaruar se në Qeverinë e tij nuk do të ketë më shumë se dy zëvendësministra për ministri.

Deri tani kur ende nuk ka përfunduar procesi i emërimeve, Kurti u është përmbajtur zotimeve të tij, porse KOHA merr vesh se kjo ka nisur të sfidohet nga minoritetet të cilat janë bërë pjesë e Qeverisë.

Nga komunikatat zyrtare që Qeveria ka lëshuar deri më tash, nga 15 ministritë, 6 prej tyre kanë nga dy zëvendësministra të emëruar, derisa pa ta ende janë Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Bujqësisë.

Mirëpo nga 18 zëvendësministrat e emëruar, vetëm 4 nga ta janë gra.

Kjo, sipas Igballe Rugovës nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, është zhgënjyese pasi, sipas saj, koalicioni fitues që ka formuar Qeverinë, 60 për qind të votuesve i ka pasur gra.

“Është dashur që kjo Qeveri të ketë parasysh që është koha që të implementohet Ligji për Barazi Gjinore. Edhe njëherë, jo për shkak të numrave sa është me rëndësi të thuhet që kemi shumë gra eksperte në fushat e tyre dhe kanë mundur ta gjejnë vendin e caktuar nëpër ministri dhe pse jo edhe si zëvendësministre”, ka thënë Rugova.

Dy nga zëvendësministrat e emëruar nga Kurti deri më tash, njëri ka lënë detyrën për shkak të postit të deputetit dhe tjetri pas presionit publik pasi që ai ishte dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.