Arbëri

Kurti: Zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 janë ngjarje me peshë që duhet trajtuar drejtë

Foto: Qeveria e Kosovës

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka kujtuar zgjedhjet e para dhe shënimin e 28 vjetorit të tyre.

Ai përmes një postimi në Facebook ka shkruar se zgjedhjet e 24 majit të vitit 1992 janë një ngjarje me peshë që duhen trajtuar drejt, duke shtuar se pjesëmarrësit e saj meritojnë respektin dhe vlerësimin tonë.

“Zgjedhjet e para parlamentare, organizuar nga Alternativa e padhunshme demokratike e kohës, ishin një rast i mirë për pasurimin e arsenalit të metodave të organizimit dhe veprimit politik si dhe konsolidimin e pozitës politike së çështjes së Kosovës dhe viseve tjera shqiptare”, ka shkruar ai.

Këto zgjedhje, sipas tij, po hapnin hullinë e asaj që në teorinë e veprimtarisë së padhunshme quhet strategjia e padhunshme konstruktive – metodat e ndërtimit dhe funksionalizmit institucional edhe në kushte të represionit e okupimit.

“Organizmi vetanak i zgjedhjeve në kushte te robërisë dhe të shtypjes kishte pjesëmarrje impresive: 766.068 votues brenda vendit dhe 105.300 në mërgatë. Ato ishin sukses në vete dhe nuk mbetën pa jehonë mbarëkombëtare e ndërkombëtare. 24 maji 1992 është data kur Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës për herë të parë”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij, qytetarët treguan guxim dhe vullnet anembanë Kosovës.

Për fat të keq, asokohe nuk vazhdoi procesi i kompletimit dhe funksionalizimit të strukturës së pavarur institucionale të Republikës. Megjithatë, 24 maji 1992 shënohet si datë kur populli kishte përzgjedhur rezistencën dhe po e konfirmonte pavarësinë. Ai injoronte zgjedhjet e Republikës së Serbisë dhe merrte pjesë masivisht në ato të Republikës së Kosovës, paçka se nën okupim”, ka thënë ai.