Gjatë qëndrimit të tij në shtetin e Iowa-s të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, vizitoi kontingjentin e ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës që po zhvillojnë trajnime atje së bashku me ushtarët e Gardës Kombëtare të Iowa-s.
Kurti aty u takua me ushtarët Lulëzim Statovci, Fidan Nishevci, Arianitë Prushi dhe Malsor Haxhiu.
Duke theksuar se Garda Kombëtare e Iowa-s ka qenë dhe vazhdon të jetë kyçe në ngritjen profesionale të FSK-së dhe në përgatitjen profesionale drejt arritjes së standardeve të NATO-s, kryeministri Kurti vlerësoi edhe bashkëpunimin e vitit të kaluar, kur së bashku me trupat amerikane të Gardës Kombëtare të Iowa-s, FSK realizoi misionin e parë dhe historik të zbarkimit në shtetin e Kuvajtit.
Siç njofton zyra e kryeministrit të shtunën, Kurti u shprehu mirënjohje ushtarëve tonë për krenarinë që na e sjellin me përkushtimin e tyre për t’i shërbyer vendit.
Ai tha se angazhimi i përditshëm në trajnime për të avancuar aftësitë dhe shkathtësisë e tyre dhe forcës sonë është jetik në përkushtimin e Republikës së Kosovës për stabilitet dhe siguri në rajon. Nëpërmjet rritjes së buxhetit për mbrojtje për 52%, ai tha se Qeveria po dëshmon synimin e saj që duke ngritur kapacitetet profesionale të FSK-së të kemi një forcë që është e aftë të përmbushë detyrat e veta kushtetuese për të mbrojtur vendin, por edhe të bashkëpunojë me partnerë e aleatë në ruajtje të paqes në rajon e botë.