Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar homologun, Edi Rama, për riemërimin në postin e kryeministrit të Shqipërisë. Përmes një letreje, Kurti i shkruan Ramës se mandati i tretë është në një kohë me plot sfida, si koronavirusi, rimëkëmbja ekonomike dhe zhvillimi si dhe konsolidimi i institucioneve. Ai ka shprehur gatishmërinë që Kosova t’i dalë Shqipërisë në ndihmë.
“Mandati juaj i tretë vjen në një kohë me plot sfida. Përballja me COVID-19, rimëkëmbja e ngritja ekonomike dhe zhvillimi e konsolidimi i institucioneve demokratike janë vetëm disa nga sfidat të cilat kërkojnë angazhimin tuaj maksimal. Sfida këto në të cilat, Republika e Shqipërisë mund të llogarisë në mbështetjen e pa rezervë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ky mandat i tretë është po ashtu mundësi e tretë për të realizuar projekte të cilat kaherë priten nga shqiptarët në të dy anët e kufirit. Rritja e bashkëpunimit ekonomik dhe e shkëmbimit tregtar dhe integrimi i tregut duke hequr barrierat mes shqiptarëve në radhë të parë paraqesin mundësi të shkëlqyer, për realizimin e të cilave qeveria ime dhe unë mbetemi në gatishmëri të plotë”, thuhet në letrën e tij.
Kryeministri Kurti ka ftuar Ramën ta vizitojë Kosovën “në një kohë të përshtatshme”, dhe për të përgatitur mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive.
“Unë jam me shpresë se në këtë mandat Shqipëria do të shoh progres të gjithanshëm. Së bashku mund të punojmë në avancimin e parimeve demokratike, në luftimin e krimit dhe korrupsionit, të evazionit fiskal e informalitetit në të dy anët e kufirit dhe të angazhohemi për më shumë drejtësi dhe të drejta e për më shumë barazi e mirëqenie për shqiptarët në gjithë rajonin. Kosova dhe qytetarët e saj i gëzohen tej mase zhvillimit dhe progresit të Shqipërisë të cilën e kanë përherë në mendje dhe zemër. Në Shqipëri, Kosova dhe shqiptarët kudo në rajon e në botë shohin më shumë se përkrahësin e natyrshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave dhe zhvillimit të gjithmbarshëm të tyre”, thuhet tutje.
Në orën 06:46, me 77 vota pro, 53 kundër dhe 1 abstenim është votuar të premten Qeveria "Rama 3".