Presidentja Vjosa Osmani e kryeministri Albin Kurti, kanë uruar qytetarët me rastin e festës së Kurban Bajramit.
Osmani ka thënë se Kurban Bajrami është mundësi reflektimi mbi solidaritetin, sakrificën e tolerancën. “Është mundësi për t’i çmuar lidhjet tona familjare dhe miqësore, si dhe për të zgjatur dorën e mirësisë ndaj atyre në nevojë. Derisa sot mblidhemi së bashku për të festuar, le të kujtojmë frymën e unitetit dhe harmonisë që simbolizon kjo festë. Me shpresën që kjo festë të sjellë te ju, familjet dhe të afërmit tuaj të mira e begati, ju uroj edhe një herë me fat Kurban Bajramin”, thuhet në urimin e presidentes.
Edhe kryeministri Kurti ka uruar qytetarët me rastin e Festës së Kurban Bajramit. Ai në një postim në Facebook ka shkruar se sakrifica e ka gjithmonë për synim tjetrin e jo vetën.
“Gëzuar e me fat Kurban Bajrami! Sakrifica gjithmonë ka për synim tjetrin, jo veten. Të mirën e përgjithshme, jo të mirat vetanake. Ajo është shërbim dhe përkushtim, që nganjëherë të pakëson, por gjithmonë të lartëson. Përmes saj heq dorë nga të qenit në qendër, për t’u bërë qendra e të tjerëve.Në festën e sakrificës, le të bëhemi edhe më solidarë e më zemërgjerë me të tjerët, për të mirën e përgjithshme, me ata që na rrethojnë. Sot, nesër, çdo ditë të vitit”, ka shkruar Kurti.
Kurban Bajramin e ka uruar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Edhe
Liderët e Kosovës urojnë myslimanët: Paqe dhe solidaritet
Ai ka thënë se kjo festë risjell në vëmendje sakrificën dhe përkushtimin për të bërë vepra të mira, siç ka shkruar, “falë fuqisë së besimit që na bën të tejkalojmë vetveten”.
“Urojmë që ky Kurban Bajram t'i gjejë të gjithë sa më mirë, me frymën e përkushtimit ndaj njëri-tjetrit, të vëmendshëm ndaj atyre që më së shumti kanë nevojë, e me këmbëngulje për një shoqëri që ecën përpara me të gjithë pjesëtarët e saj, pa lënë askënd pas. Po ashtu, dëshiroj t'iu uroj besimtarëve gëzim, paqe dhe begati. Le të sjell kjo festë shëndet, mirëqenie, harmoni e lumturi për ju dhe familjet tuaja dhe le të na bashkojë të gjithëve me dashuri, solidaritet e mirësi”, ka shkruar Konjufca në Facebook.