Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti uron Krishtlindjet nga Janjeva

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar fshatin Janjevë në ditën e Krishtlindjes, ku takoi famullitarin e kishës së Shën Kollit në Janjevë, Don Matej Paliq, si dhe ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se gjatë kësaj vizite, është diskutuar për historikun e komunitetit kroat në këtë fshat që është vizituar dhe nga Nëna Terezë në vitin 1981, e i cili njihet edhe për bashkëjetesën e shkëlqyer mes komuniteteve.

“Gjatë këtij takimi u diskutua dhe për mënyrat e thellimit të bashkëpunimit për të kontribuar në zhvillimin e Janjevës, dhe në rritjen e mirëqenies së komunitetit kroat dhe të gjithë qytetarëve që jetojnë në Janjevë”, thuhet në njoftim.

Pas takimit, njoftohet se Kurti mori pjesë dhe në meshën e mbajtur në kishën e Shën Kollit në Janjevë, ku takoi qytetarët e komunitetit kroat dhe shqiptar, dhe u uroi festën e Krishtlindjes.