Sot Lidhja Demokratike e Kosovës ka thirrur Këshillin e vet të Përgjithshëm.
Një gjë të tillë, kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti ka thënë se do ta bënte pas një marrëveshjeje për koalicion me LDK-në.
Kurti, duke folur para mediave pas dëshmisë që dha në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, tha se ka besuar që do të ketë këtë javë një takim me Isa Mustafën, porse një gjë e tillë s’ndodhi pasi LDK-ja, thirri Këshillin e Përgjithshëm.
Ai tha se mbetet të shihet nëse thirrja e Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së nga Isa Mustafa, do të betonojë marrëveshjen për koalicion.
“Unë me siguri që kam besuar se duhet të ketë takim këtë javë, mirëpo, nuk dua që të ndërhyjë te LDK-ja e cila mësova se ka thirrur një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm si organi më i lartë. Ne në VV besojmë se thirrja e Këshillit në subjektin tonë duhet të mbahet pas marrëveshjes, jo para marrëveshjes”, tha Kurti.
Kurti tha se Vetëvendosje do të mbajë mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm pas marrëveshjes.