Arbëri

Kurti thotë se Lajçaku ishte në sinkron me Serbinë në takimin e 14 shtatorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin e 14 shtatorit ka shkuar me propozim konkret.

Sipas tij, propozimi i tyre bazohej në parimin e gjithëpërfshirjes që nënkupton që çdo nen duhet të përfshihet në planin e zbatimit të sekuencimit.

Ai ka thënë se parimi i gjithpërfshirjes nuk është i pazakontë në planet zbatuese të marrëveshjeve ndërkombëtare.

Kurti ka thënë se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel, kishte koordinim dhe sinkronizim të qëndrimeve mes përfaqësuesit të lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, emisarit për dialogun, Miroslav Lajçak dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

“Në aneks përcaktohet në tri klauzola specifike që çdo nen i marrëveshjes bazike duhet zbatuar dhe gjithashtu që palët nuk duhet të shprehin obstruksione në ndonjë nen. Në takimin e parë, bilateral me Borrellin dhe Lajçakun, më është kërkuar që të kalojmë menjëherë në një proces negocimi të statutit të përcaktuar me nenin 7 të marrëveshjes bazike në lidhje me nenin 10. Ua bërë të qartë se një hap të tillë nuk mund ta ndërmerrnim pa u dakorduar në mënyrë të plotë për planin e zbatimit të sekuencuar. Aq më shumë për shkak se Vuçiqi ka një kohë që deklaron se nuk ka pranuar një marrëveshje me Kosovën dhe do ta zbatojë atë vetëm në përputhje me linjat e kuqe të Serbisë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Borrellit e Lajçakut ua ka bërë të ditur se hapi i parë duhet të jetë dakordimi i një hapi të sekuencimit, ku përfshihet nënshkrimi i marrëveshjes bazike.

Ka shtuar që në takimin e parë nuk arritën asnjë dakordim minimal, kjo pasi sipas tij, “qëndrimi i zotërinjve Borrell dhe Lajçak ishte që sekuencimi i zbatimit të marrëveshjes duhet të bëhej në një mënyrë të tillë që të ishte e pranueshme edhe për Serbinë që e donte Asociacionin si prioritet dhe heqjen e neneve të njohjes së ndërsjellët”.

Kurti ka thënë se në takimin trilateral, “u ekspozova përball një skenari që Lajçaku e kishte dizajnuar kohë më parë”.

Ai ka thënë se pasi propozoi një plan të sekuencimit të punuar nga Republika e Kosovës, presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar.

Të dy sipas tij thanë, që ky plan është shumë jorealist.

“Unë në plan nuk kisha shpikur e shtuar asgjë. Pasi u refuzova në sinkroni nga Vuçiqi e Lajçaku, ua shtrova një pyetje bazike: ‘Pasi po refuzoni  propozimin tim, më thoni nëse Serbia ka bërë ndonjëherë ndonjë propozim të ndonjë plani të sekuencimit’. Lajçaku tha që po, me bindje të plotë, gjithashtu edhe Serbia tha po. Unë u kërkova ndonjë dokument, por nuk mu dha. Pas shumë insistimeve mu soll një dokument që mu tha se është propozimi i Serbisë për planin e sekuencimit”, ka thënë ai. “Pasi përfunduan takimet dhe pas daljes time në media ndërmjetësi lëshoi një dokument sekuencimi që tha se Vuçiqi e pranoi e Kurti e refuzoi. Një informacion i tillë është i pavërtetë... Dokumenti i tillë i Lajcakut ishte refuzuar më 19 korrik nga z.kryeministri Bislimi. Pse kjo katrahurë informacioni nga zyra e Lajçakut... Më 14 shtator pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës në përgjithësi dhe kundër marrëveshjes në përgjithësi... Ose do e zbatojmë marrëveshjen bazike në plotëni ose nuk mund të zbatojmë atë që do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur".

Kryeministri i Kosovës ka shtuar se Serbia dhe ndërmjetësuesit e BE-së patën pozicionim të qartë kundër Kosovës ne përgjithësi, e kundër Marrëveshjes Bazike në veçanti.

“Ata kanë shkuar shumë larg, ose do të zbatojnë Marrëveshjen Bazike në plotëni, ose nuk mund të zbatojnë vetëm ato që i do Serbia. Kjo logjikë ka vdekur e nuk do të ecën tutje”, ka deklaruar Kurti.

Sipas Kurtit, paralajmërimet e presidentit, Aleksandar Vuçiq, u futën në planin gjithëpërfshirës, derisa ka shtuar se në zyrën e Lajçakut është krijuar katrahurë informacioni.

“S’e pranova një skenar të tillë pasi për mua një marrëveshje e tille ekziston e s’mund të zhbëhet nga askush. Pas daljes nga takimi, ndërmjetësuesi lëshoi një dokument që tha se Vuçiqi e pranoi, e Kurti e refuzoi. Një informacion i tillë është i pavërtetë. Në atë plan të Lajçakut zbatohet ajo që Serbia e kërkon” ka shtuar ai.


Kurti: Masat të hiqen, ekziston rruga për mbajtjen e zgjedhjeve në veri

Kryeministri Albin Kurti, ka deklaruar se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës duhet të hiqen, pasi sipas tij, shtensionimi i situatës në veri ka ndodhur në masë të konsiderueshme.

Sipas Kurtit, tash e dy muaj s’ka incidente e as protesta të dhunshme në veriun e Kosovës, me ç’rast sipas tij, Kosova duhet të jetë e kujdesshme për mundësinë e rieskalimit.

“Deeskalimi në masë të konsiderueshme ka ndodhur, ka 2 muaj që s’ka incidente e as protesta të dhunshme. Adresa për rieskalim s’është në Prishtinë, por në Beograd e në hotelin Kopaonik...Deeskalimi do të duhej të ishte i mjaftueshëm për të rimenduar heqjen e masave”, ka thënë ai.

Kurti ka theksuar se ekziston rruga e qartë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri.

“Ne e kemi bërë rrugën që të ndiqet në mënyrë që të kemi zgjedhje të parakohshme në katër komunat. Shto këtu edhe zvogëlimin e Policisë 2 herë kah 25 për qind, masat s’kanë arsye të jenë”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti ka thënë se më datën 15 shtator i ka dërguar letër sqaruese Parisit, Berlinit, Romës dhe Washingtoni.

 “Dhe nga Parisi dhe Berlini kam konfirmimin se janë pranuar ato. Nuk është çështja BE-SHBA këtu, kemi të bëjmë me një emisar evropian që e ka deformu procesin.... Ky deformim i procesit të zbatimit është i shoqëruar edhe me një padrejtësi që për bindjen time është fondamentale. Sa herë ka shkelje të marrëveshjes do të duhej që arbitri t’i bie pipit. Cili është kuptimi që ne merremi vesh për një tekst e pastaj me deklarata e shkelin marrëveshjen e arbitri nuk reagon”, ka thënë ai.


Bislimi: Kosova s'ka hequr dorë nga marrëveshja finale me Serbinë

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, ka thënë se Kosova nuk ka hequr dorë nga marrëveshja finale me Serbinë.

Në konferencën për media të mbajtur me kryeministrin Albin Kurti, ku kanë folur për takimin e fundit në Bruksel më 14 shtator dhe procesin e negociatave, Bislimi ka deklaruar se ofruesit e propozimit franko-gjerman kanë kërkuar që të futet një fazë e ndërmjetme në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, ku Kosovës i ofrohet njohja de facto, e më vonë edhe ajo de jure.

“Pamundësia e faktorit ndërkombëtar ta detyrojë Serbinë të jetë konstruktive në dialog, ka detyruar sjelljen e propozimit franko-gjerman. Ka qenë kërkesë e propozuesve që të futet një fazë e ndërmjetme, ku Kosovës i ofrohet njohja de facto, por njohja de jure mbetet më vonë. Pra, nuk është se kemi hequr dorë nga marrëveshja finale”, është shprehur ai.

Bislimi ka shtuar se në takimin e 27 shkurtit në Bruksel, Kurti ka ofruar që të nënshkruhet Marrëvehsja Bazike, ndërsa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka vepruar në keqbesim.

“Më 27 shkurt në Bruksel, kryeministri Kurti ka ofruar që të nënshkruhet marrëveshja bazike dhe aty z.Vuçiq ka thënë se do ta nënshkruajë bashkë me dokumentin e aneksit implementues që do të negociohet në Ohër. Pastaj publikisht ka thënë se është mashtruar nga këshilltarët e tij që i kanë thënë prano se Kurti do të refuzojë. Aty ka qenë sinjali i parë që qasja e negocimit të Vuçiqit ka qenë në keqbesim. Ka konfirmuar pranimin e dokumentit me bindjen që Kurti do të refuzojë e do të duket konstruktiv”, ka thënë ai.

Image


Kurti: Sa më konstruktiv e kreativ unë, aq më nervoz e të padrejtë ata

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në takimin e 14 shtatorit në Bruksel ka qenë konstruktiv dhe kreativ, por sipas tij, kjo i është shpërblyer me nervozë dhe padrejtësi nga ndërmjetësuesit.

Në adresimin për media të hënën bashkë me zëvendësin e tij, Besnik Bislimi, Kurti ka thënë se ka besuar që konstruktiviteti dhe kreativiteti shpërblehen, por ka vlerësuar se në rastin e tij janë ndëshkuar.

“Në një moment gjatë bisedimeve, kur unë i them cili është propozimi i palës serbe, po ashtu Borrell i drejtohet Vuçiqit, më pas Lajçaku thotë se e kanë dhënë më herët ata. Nuk ishte propozimi, mu premtua që do ta nxjerrin, por nuk u bë. Sa më konstruktiv e kreativ unë, aq më nervoz e të padrejtë ata. Kam besuar që kreativiteti e konstruktiviteti të shpërblehen, jo të ndëshkohen”, ka thënë ai.

Kurti më tej ka folur rreth kompromisit të emisarit special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, për të cilin ka thënë se është refuzuar më 19 korrik nga Bislimi, e që sërish i është ofruar Kurtit në takimin e fundit.

“Refuzimi i të ashtuquajturit kompromis të emisarit Lajçak nuk është bërë më 14 shtator, është bërë më 19 korrik. Zëvendëskryeministri Bislimi e ka refuzuar atë propozim. Ai ma solli mua më 14 shtator atë që e ka refuzuar Besnik Bislimi më 19 korrik, a po provon të gjejë dallime mes nesh apo si është puna? Ai është propozim i refuzuar, nuk do të duhej të vinte më”, ka thënë ai.