Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takon Sarrazinin: Kosova e përkushtuar për fqinjësi të mirë

Kryeministri Albin Kurti ka takuar përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin.

Sipas njoftimit të kryeministrisë, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi ekonomik mes vendeve të Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe përgatitjet për Samitin e radhës të Procesit të Berlinit, i cili këtë vit shënon dhjetëvjetorin e tij, ishin temë qendrore e diskutimit mes tyre në një mëngjes pune në rezidencën e ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Kryeministri Kurti thuhet se ka shprehur mirënjohje për bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

“Kryeministri theksoi që Kosova është e përkushtuar dhe e interesuar për fqinjësi të mirë, avancim demokratik dhe progres socio-ekonomik në rajon ku qytetarët janë përfituesit përfundimtarë dhe shtoi rëndësinë e zbatimit të shpejtë dhe të plotë të marrëveshjeve që janë arritur në Procesin e Berlinit e të cilat rrisin mobilitetin e qytetarëve dhe mundësitë për zhvillim”, thuhet në njoftimin e kryeministrisë.