Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti takohet me Sanna Marin, bisedohet për rritjen e numrit të ushtarëve finlandezë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takim edhe me kryeministren e Finlandës, Sanna Marin, me të cilën ka biseduar për mundësinë e rritjes së numrit të ushtarëve finlandezë në Kosovë.

Kurti u takua me homologen finlandeze në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Kreu i ekzekutivit zhvilloi edhe disa takime të tjera të martën.

Aktualisht, numri i ushtarëve finlandezë në forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) është 20. Sipas njoftimit të Kryeministrisë, Kurti e Marin biseduan që numri të rritet në 70.

Kurti e falënderoi Finlandën për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian.

Kurti ka theksuar se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për reforma strukturore në ekonomi, politikë, sundim të ligjit dhe demokraci funksionale në përputhje me standardet evropiane, për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe bashkëpunim rajonal.