Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Sulmi në Kuvend ishte i përgatitur

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se deputetët e opozitës nuk kanë pasur asnjë arsyeje që të sulmojnë kabinetin qeveritar në seancën e së enjtes. Ai është shprehur i bindur se sulmi ishte i përgatitur e nuk ndodhi si pasojë e asnjë provokimi nga ana e qeveritarëve.

Ai ka thënë se ka mjaftueshëm dëshmi që do të shikohen më tej për ta treguar të vërtetën e asaj dite.

“Unë besoj se kurrfarë arsye për sulm mbi Qeverinë e Kosovës në Kuvendin e Republikës nuk ka pasur. Ata të cilët dëshirojnë të sulmojnë kërkojnë shkase sepse as shkaqe nuk gjejnë, arsye jo se jo. Mirëpo ka gjëra për të cilat mund të mos dihet sepse nuk ka dëshmitarë dhe nuk ka xhirime. Aty kishim maksimumin e xhirimeve dhe kishim shumë dëshmitarë të cilët do ta tregojnë të vërtetën e asaj situate në të cilën qartazi nuk bëhej fjalë për provokim e kundër provokim por bëhej fjalë për një sulm të përgatitur meqenëse shpejtësia me të cilën ia mësynë prej ulëseve të tyre disa deputetë dhe në drejtim të ulëseve të kolegëve të mi nga Qeveria derisa unë mbaja fjalim tregon qartazi se nuk kishte asgjë spontane aty”, ka thënë ai, raportoi EkonomiaOnline.

Kurti i ka lutur deputetët që për çdo çështje të organizojnë debate në Kuvend me argumente e kundër argumente, duke u shprehur se ai që nga shpallja e pavarësisë është kryeministri më i përpiktë që iu është përgjigjur pyetjeve të tyre.

“Unë edhe një herë i lus deputetët e Kuvendit të Republikës që për çdo gjë të organizojmë debate parlamentare ku i shoshisim gjerë e gjatë argumentet, faktet, qëndrimet, mendimet, opinionet tona pa dhunë dhe ata të cilët kanë të drejtë, besojnë në të drejtën që prezantojnë nuk do duhej t’i frikësohen debatit. Ndërsa ju e patë që mua mu ndalua fjala në kuvendin e Republikës së Kosovës dhe me kërkesën e kryeparlamentarit unë hoqa dorë nga vazhdimi i fjalës sime. Thjesht kur ka vazhduar seanca unë është dashur ta vazhdoj fjalën, por kryeparlamentari më tha ‘Kryeministër a bën mos ta vazhdosh fjalën në mënyrë që t’i qetësojmë gjakrat?’, unë isha dakord për këtë gjë. Por përkundër kësaj kjo nuk dha rezultat”, ka shtuar Kurti.

Artikuj të ngjashëm