Kryeministri Albin Kurti, ka thënë se marrëdhëniet mes Kosovës dhe Sllovenisë po forcohet dita e ditës.
Kurti ka thënë se Sllovenia historikisht ka qenë mike dhe mbështetëse e besueshme e Kosovës.
Kurti këto fjalë i ka thënë në pritjen e fundvitit të organizuar nga Ambasada e Sllovenisë në Kosovë.
“Kemi ngjashmëri në histori, një histori ku Sllovenia qëndroi fort me popullin e Kosovës – duke qenë një mik dhe mbështetës i besueshëm. Dhe ne kemi edhe një të ardhme të përbashkët - një të ardhme brenda familjes evropiane - duke ndarë vlerat e demokracisë, sundimit të ligjit dhe vullnetit dhe punës së palodhur për prosperitet socio-ekonomik”, tha Kurti. “Vitin e kaluar importet nga Sllovenia në Kosovë ishin rreth 177 milionë euro, ndërsa eksportet tona në Slloveni ishin vetëm rreth 10 milionë euro. Gjatë periudhës janar-tetor të këtij viti, eksportet tona në Slloveni janë rritur, duke arritur në 28 milionë euro, që është një rritje mbresëlënëse prej 180%. Në investimet e huaja direkte kemi parë gjithashtu rritje të jashtëzakonshme nga Sllovenia, nga rreth 6 milionë euro në periudhën janar-tetor 2021 në rreth 26 milionë euro për të njëjtën periudhë në 2022, një normë rritjeje prej 350%”.