Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Shqiptarët e Kosovës janë mbase populli i vetëm që është vrarë edhe si hakmarrje ndaj NATO-s

Kryeministri Albin Kurti, në 74 vjetorin e themelimit të Organizatës së Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), ka thënë se shqiptarët e Kosovës mbase janë populli i vetëm në botë që është vrarë edhe si hakmarrje ndaj NATO-s.

Në një status në Facebook, me rastin e këtij përvjetori, Kurti ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Ato ditë, për shkak të thirrjes në ndihmë NATO-s, shqiptarët e Kosovës janë mbase populli i vetëm që është vrarë edhe si hakmarrje ndaj NATO-s. ‘Ku është NATO?’ dhe ‘Ku e keni NATO-n?’, janë dy fraza që ushtarët dhe policët serbë ua kanë thënë në mënyrë të përsëritur shqiptarëve në Kosovë, gjatë dëbimit dhe masakrave të kryera prej tyre mbi shqiptarët në pranverën e vitit 1999”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij fushata ajrore e NATO-s e pasuar nga ndërhyrja ushtarake tokësore, erdhi si një ndërhyrje e shumëkërkuar dhe e shumëpritur që bashkë me luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i sollën lirinë Kosovës. Që nga atëherë, Kurti ka thënë se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, është partneri kryesor i institucioneve të Kosovës për siguri në vend.

“24 vite më parë, në prag të përvjetorit të 50-të të themelimit të NATO-s, më 24 mars 1999, NATO nisi operacionin ushtarak më të madh në historinë e kësaj aleance deri atëherë. Deri më 10 qershor, për 78 ditë rresht, trupat e NATO-s e bombarduan nga ajri Jugosllavinë, me qëllim që të ndalonin spastrimin etnik dhe gjenocidin e ushtruar nga Serbia e Sllobodan Millosheviqit mbi shqiptarët në Kosovë”, ka shkruar Kurti.

Ai ka thënë se 24 vjet pas luftës në Kosovë, trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, tashmë janë përfshirë në misione paqeruajtëse përkrah trupave amerikane. “Teksa po kalon nëpër një fazë të transformimit në ushtri me aftësi komplete ndërvepruese luftarake dhe kapacitete të plota ushtarake, trupat e FSK-së po vazhdojnë të trajnohen sipas kritereve të NATO-s dhe të rriten e aftësohen për luftë moderne, krah ushtrive të vendeve të NATO-s, ku Kosova aspiron të anëtarësohet sa më parë”, ka shkruar Kurti.

Edhe Kurti: Ndërhyrja e NATO-s, rezultat i sensibilizimit ndërkombëtar për tragjedinë në Kosovë Arbëri Kurti: Ndërhyrja e NATO-s, rezultat i sensibilizimit ndërkombëtar për tragjedinë në Kosovë

Ai ka thënë se Kosova do të ndjek hapat drejt anëtarësimit në NATO.

“Bashkë me kujtimet plot mirënjohje që Kosova ruan për historinë e angazhimit të NATO-s për tu çliruar, Republika e Kosovës do të vazhdojë të ndjekë hapat e nevojshëm brenda institucioneve të saj dhe në arenën ndërkombëtare, drejt anëtarësimit tonë në NATO. Në Defender Europe 21 morëm pjesë me 330 ushtarë, ndërkaq këtë pranverë në Defender Europe 23 do të marrim pjesë me 1.365 ushtarë”, ka shkruar Kurti.