Kryeministri Albin Kurti të mërkurën e zhvilloi një vizitë të paparalajmëruar në veri. Nën masa të rrepta sigurie, ai qëndroi në katër komunat e banuara kryesisht me serbë. Ishte në Banjskë, ku vjet u krye sulmi terrorist serb e po ashtu përuroi një lapidar për policin e vrarë 13 vjet më parë, Enver Zymberi. Gjatë vizitës i takoi kryetarët që vijnë nga subjekti i tij politik, por jo edhe ata nga PDK-ja
Pak ditë nga mbajtja e procesit për shkarkimin e kryetarëve, kryeministri Albin Kurti ka vizituar katër komunat në veri të Kosovës.
Nën masa të rrepta sigurie e pa paralajmërim paraprak, në Leposaviq ai ka takuar kryetarin Lulzim Hetemi, ka vizituar vendin ku është vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, disa nga zyrat në Zubin Potok dhe ka përuruar lapidarin kushtuar policit të vrarë më 2011, Enver Zymberi.
“Isha edhe në Banjskë, ku e pashë me sytë e mi vendin ku u organizua ajo pritë terroriste e ku u vra rreshteri ynë Afrim Bunjaku. Më pas e vizituam edhe Zubin Potokun. Nëse do të ishte gjallë Enver Zymberi, sot do ta festonte ditëlindjen dhe do të ishte një polic 45-vjeçar në shërbim, por fatkeqësisht e vranë në korrik të 2011-s. Sot ia përuruam një lapidar”, tha Kurti.
Kurti tregoi edhe qëllimin e vizitës së tij në katër komunat e banuara kryesisht me serbë.
“Jemi këtu për të treguar se Qeveria e Kosovës është demokratike, jo si një superstrukturë e banorëve, por si një infrastrukturë për të drejtat dhe mirëqenien e tyre. Ne ju shërbejmë të gjithëve dhe vlerësojmë se duhet të bashkëpunojmë”, shtoi ai.
Ai qëndroi edhe në Mitrovicë të Veriut ku e takoi kryetarin Erden Atiq.
Në veri, Kurti ka folur edhe për marrëveshjen e arritur në Bruksel e aneksin e saj në Ohër. Duke iu referuar formimit të Asociacionit ka thënë se asnjë nen i marrëveshjes nuk duhet të vihet para pjesës tjetër. Ka përsëritur se garanci për zbatimin e marrëveshjes së dakorduar është nënshkrimi i saj.
E ndaj vizitës së kryeministrit Albin Kurti në veri ka reaguar Lista Serbe.
Sipas njoftimit nga ky subjekt, qëndrimi i Kurtit ka për qëllim tensionimin e situatës në veri.
“Është më se e qartë se me ardhjen e tij ai ka dashur të provokojë reagimin e popullit serb dhe të paraqitet si viktimë për të fituar disa pikë politike më shumë apo vota për zgjedhjet e ardhshme. Presim që shërbimet kompetente t’i dezinfektojnë rrugët ku ai ka ecur dhe në këtë mënyrë ta mbrojnë shëndetin e qytetarëve tanë”.
Vizita e kryeministrit Kurti në këtë format është e para që nga ardhja e tij në pushtet tre vjet më parë.
Gjatë vizitës ai nuk i takoi kryetarët e Zveçanit e Zubin Potokut, që vijnë nga radhët e PDK-së.