Situata në veri është duke u normalizuar, ka vlerësuar kryeministri Albin Kurti, por ka theksuar se për t’u përshpejtuar ky proces, ndërkombëtarët duhet ta zhvendosin presionin nga Prishtina në Beograd. Ai theksoi se protestuesit të cilët i kanë kryer sulmet përgjatë kësaj jave, duhet të përballen me drejtësinë, në mënyrë që në të ardhmen të ketë zgjedhje të lira në veriun e banuar kryesisht me serbë
Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar të shtunën se situata në veri është duke u normalizuar. Derisa ndodhej në Muhoc të Ferizajt për ta vënë gurthemelin e një shtëpie për një familje gorane, kryeministri tha se ndërtesat komunale janë pronë e shtetit dhe se në to duhet të qëndrojnë vetëm kryetarët që sigurojnë mandatet nëpërmjet zgjedhjeve që i organizon Kosova.
“Nuk mund të ketë kryetarë të rinj pa zgjedhje të reja dhe zyrat e ndërtesave e komunave në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok janë asete të Republikës së Kosovës. Gjithçka është duke shkuar drejt normalizimit dhe kjo do të mund të bëhej edhe më shpejt po të mos ishin obstruksionet e Beogradit”, ka thënë kryeministri Kurti.
Prej një jave janë realizuar protesta në veri kundër qasjes së kryetarëve të rinj në objektet komunale. Përgjatë tyre, turmat e serbëve kanë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it, kanë sulmuar policinë e gazetarët dhe kanë demoluar shumë vetura zyrtare e të mediave.
Kryeministri Kurti ka pranuar kërkesën ndërkombëtare për zgjedhje të reja, por tha se protestuesit të cilët i kanë kryer sulmet duhet të përballen me drejtësinë, në mënyrë që në të ardhmen të ketë zgjedhje të lira.
“Sundimi i ligjit duhet të vlejë për të gjithë. Nuk mund të ketë asnjë pakicë të privilegjuar, dhe të gjithë qytetarët, shumica shqiptare, komunitetet joshumicë, duhet të çlirohen prej elementeve të ndryshme që kanë ideologji ekstremiste dhe bëjnë sulme të dhunshme ndaj shtetit tonë dhe organeve të tij”, ka thënë ai.
Edhe
Kurti: S’ka vullnet për shkarkimin e kryetarëve në veri, Kosovës t’i hiqen menjëherë masat
Kryeministri Kurti porositi vendet aleate të Kosovës që, nëse duan depërshkallëzim më të shpejtë të situatës në veri, duhet ta ndërrojnë adresën në të cilën po bëjnë presion.
“Për tu bërë normalizimi, adresa ku duhet të bëhet trysnia nuk është Prishtina që është kryeqyteti i shtetit më demokratik e policinë më profesionale në Ballkanin Perëndimor, por është Beogradi i cili duke mos u distancuar nga krimet e Millosheviqit, dëshiron të kthehet prapa në kohë për ta ndryshuar rezultatin e luftës më 1999 që rezultoi me kapitullim të Serbisë dhe për ta ndryshuar edhe rezultatin e vitit 2008 kur ne shpallëm pavarësinë dhe morëm njohjet ndërkombëtare të botës demokratike”, ka theksuar kreu i Qeverisë.
Pas protestave, ndërkombëtarët fillimisht hodhën gjithë përgjegjësinë te Qeveria e Kosovës, e cila vendosi t’u sigurojë kryetarëve të rinj qasje në objektet komunale, me asistencë të policisë. Më pas, për tensionet u fajësua edhe Serbia.
Shtetet e Bashkuara, e edhe Bashkimi Evropian, kërkuan që Kosova t’i tërheqë forcat policore nga ndërtesat e komunave dhe që t’i shpallë zgjedhjet e reja në veri, e njëkohësisht iu kërkua Serbisë që të krijojë rrethanën që në zgjedhje të marrin pjesë edhe serbët.
Kurti foli për situatën kur zgjedhjet mund të organizohen.
Edhe
Kurti: Beogradi dëshiron kompensim territorial për humbjen e Jugosllavisë
“Kemi nevojë për zgjedhje të lira, por kemi nevojë për sundim të ligjit paraprakisht dhe kemi nevojë që fushata të jetë e hapur dhe të jetë e lirë, jo njerëzit të frikësohen e jo që dikush të fillojë garimin e pak para zgjedhjeve të tërhiqet nga gara, sepse ju mund ta merrni mend sa shumë njerëz janë bërë gati që të votojnë për dikë i cili dy ditë përpara, kërcënohet apo shantazhohet”, ka thënë Kurti.
Zgjedhjet në katër komunat e veriut u shpallën fundvitin e shkuar, pasi Lista Serbe u tërhoq nga institucionet qendrore, por edhe nga ato lokale në veri. Ato u shtynë me kërkesë të ndërkombëtarëve dhe u mbajtën në fund të prillit, por u bojkotuan masivisht nga serbët.