Arbëri

Kurti: Për herë të parë kemi unifikim të pagës në sistemin publik

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se gjatë qeverisjes së tij, për herë të parë në Kosovë është bërë unifikimi i pagës në sistemin publik.

Gjatë konferencës vjetore të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) “Par Progresi Kosovë 2023” të martën, Kurti ka thënë se me Ligjin për Paga, që ka hyrë në fuqi në fillim të këtij muaji, dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët ka rënë në mënyrë drastike.

“Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në sektorin publik, në Republikën e Kosovës për herë të parë kemi një sistem të unifikuar të pagës në sistemin publik dhe po mënjanohet pabarazia drastike në pagë çfarë ishte në të kaluarën. Dallimi mes pagës më të lartë dhe asaj më të ulët nga 20 sa ishte dikur tani është zbritur në vetëm 4,70 herë. Kemi rritje të buxhetit për paga prej 105 milionë euro”, ka thënë Kurti.

Ai ka thënë se raportet vendore dhe të huaja kanë treguar në të kaluarën se ka politizim në proces të ndryshme, mungesë të profesionalizmit, të llogaridhënies dhe të matjes së performancës.

“Në vitet e shkuara raportet vendore dhe ndërkombëtare i kanë gjetur këto katër konstatime të cilat ne duhet t’i adresojmë me urgjencë. Me këto dukuri dhe mungesa që kanë përcjellë administratën tonë ndër vite besimi i qytetarëve karshi institucioneve publike është zbehur. Kjo mandej në efektin zinxhir ka shkaktuar jo efikasitet. Kjo ka qenë shtysë qe qeveria të tregojë vullnetin e plotë politik për të adresuar sfidat për reformimin e administratës publike në Kosovë”, ka shtuar ai.


BE-ja kritikon sërish Qeverinë lidhur me Ligjin për Paga dhe atë për Zyrtarët Publikë

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, ka thënë se BE-ja nuk pajtohet me qasjen e Qeverisë që Ligji për Pagat dhe ai për Zyrtarët Publikë të miratohen në procedurë të shpejtë.

Këtë koment Szunyog e ka bërë gjatë konferencës vjetore “Par Progresi 2023” të organizuar të martën nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS). Szunyog ka thënë se as Qeveria dhe as Kuvendi nuk ia ka marrë parasysh komentet e BE-së sa i përket Ligjit për Zyrtarët Publikë.

“Dy miratime që janë bërë në fund të vitit, i Ligjit për Pagat dhe ai për Zyrtarët Publikë, nuk pajtohemi me qasjen që këto ligje të miratohen në procedurë të shpejtë sepse ligjet e tilla duhet të ngërthejnë konstatime të dobishme me të gjitha palët e interesit, megjithatë këto konsultime nuk janë bërë. Është me rëndësi që Qeveria të ofrojë informacion se çfarë veprimesh janë marrë sa i përket konsultimeve. Më lejoni të prek edhe Ligjin e ri për Zyrtarët Publik i cili është duke u shqyrtuar në Gjykatën Kushtetuese. BE-ja megjithatë nuk pajtohet me mënyrën se si Qeveria ka zgjedhur ta shqyrtojë këtë ligj dhe komentet që ka bërë BE-ja dhe SIGMA asnjëra nga këto nuk është marrë parasysh nga Qeveria apo nga Parlamenti”, ka deklaruar ai.

Ai ka kritikuar këtë ligj për përmbajtje, duke thënë se Ligji nuk do të krijojë kushte atraktive për të rekrutuar njerëz në pozita të lira si shërbyes civilë.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, BE-ja ka shprehur shqetësimet për disa dispozita të Ligjit për Zyrtarët Publikë që është miratuar në Kuvendin e Kosovës.

Sipas BE-së, komentet e saj dhe të SIGMA-s për këtë ligj dhe për Ligjin për Paga nuk janë marrë parasysh gjatë hartimit të tyre. Sipas BE-së, përmes Ligjit të ri për Zyrtarët Publikë, shërbimi civil bëhet potencialisht i pambrojtur ndaj politizimit.

Image