Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se pret që ndërmjetësuesit e dialogut Kosovë-Serbi t’i përmbahen propozimit evropian dhe të mos fokusohen në “interesat e njërës palë” duke folur për takimin e 27 shkurtit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Bruksel.
Kurti ka thënë se nga ky takim pret të ketë diskutime të mëtutjeshme dhe të ecin mbi bazën e propozimit evropian.
Për Asociacionin, ai ka thënë se janë pesë fjali të preambulës me 10 nene, duke shtuar se beson që do t’i përmbahen propozimit që kanë marrë dhe jo interesit të njërës palë.
Kurti ka thënë se për gjëra të tjera nuk mund të flasin tani edhe për shkak se kjo varet nga ndërmjetësit e dialogut.
“Pas të hënës do të mund të dimë se çka e ku”, ka thënë ai pas konferencës vjetore të Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) “Par Progresi Kosovë 2023”.
Kurti ka folur edhe për akuzat e deputetit Haki Abazi, duke shtuar se ato janë të pavërteta dhe të pasakta.
“Ato nuk janë të vërteta e as të sakta. Për këtë është përgjigjur ministrja e Drejtësisë. LVV është subjekti më i madh dhe më demokratik. Unë nuk mund të mbaj përgjegjësi për fjalën publike të dikujt”, ka thënë ai.