Kryeministri Albin Kurti shprehu qëndrimin se diskutimet e parapara për datën 27 shkurt mes tij dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, duhet t’i përmbahen propozimit evropian për dialogun dhe jo interesave të njërës palë. Ai e tha këtë, tek iu përgjigj pyetjes nëse Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të jetë temë diskutimi në këtë takim.
“Janë pesë fjali të preambulës, janë 10 nene gjithsej dhe unë besoj që duhet t’i përmbahemi propozimit që kemi marrë e jo interesit të njërës palë”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti tha se pret që pas takimit të 27 shkurtit të dihet më saktësisht se si do të zhvillohen diskutimet e mëtutjeshme konform propozimit evropian për dialogun.
“Nga dita e hënë kur zhvillohet takimi i radhës i takimit të lartë ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecim përpara mbi bazën e atij propozimi. Për gjëra të tjera nuk mund të flasim tani, edhe pse jo pak varet nga fasilituesit apo BE-ja. Pas ditës së hënës do të mund të dimë se çka e kur”, tha Kurti.
Për takimin e radhës Kurti-Vuçiq nuk ka pranuar ta komentojë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovës, Tomas Szunyog.
E, në BE nuk kanë dhënë hollësi mbi agjendën e takimit. Në këtë institucion i thanë KOHËS që, për agjendën, t’i referohet përmbajtjes së njoftimit të ndarë ditë më parë. E në njoftim theksohet se fokusi i diskutimit do të jetë te propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Takimi i radhës Kurti-Vuçiq është i pari i nivelit të lartë në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, që nga fundi i nëntorit të vitit të shkuar.