Arbëri

Kurti: Beogradi po përpiqet ta minojë shtetin e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti e ka fajësuar Serbinë për përpjekjet e vazhdueshme të minimit të shtegut të Kosovës drejt integrimeve evropiane. Në intervistën për të përditshmen austriake “Die Press”, ka shprehur po ashtu shqetësimin rreth lidhjeve të Beogradit zyrtar me Moskën, teksa ka theksuar se shkaku i kësaj, kufiri Kosovë-Serbi është shndërruar në kufi NATO-Rusi. E kundër kësaj, i reagoi presidentit serb, Aleksandar Vuçiq

Iniciativat e Kosovës drejt anëtarësimit në organizata ndërkombëtare po shkaktojnë nervozizëm te Serbia, ka thënë të shtunën kryeministri Albin Kurti.

Në një intervistë për të përditshmen austriake “Die Presse” e ka fajësuar fqinjin verior rreth përpjekjeve të vazhdueshme për minimin e këtij shtegu të Kosovës, përderisa ka shprehur shqetësime edhe për lidhjet e Serbisë me Rusinë.

“Beogradi nuk e pranon që ne jemi shtet i pavarur. Po përpiqet që ta minojë shtetin tonë. Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në BE, dhe është duke shënuar progres ekonomik. Kjo çon në nervozizëm te Beogradi... Ne jemi të shqetësuar jo vetëm për Serbinë, por edhe për lidhjet e saj me Rusinë”, ka thënë Kurti.

Duke elaboruar mbi lidhjet Serbi-Rusi, Kurti ka vlerësuar për “Die Presse” se shkaku i kësaj kufiri i Kosovës dhe Serbisë është shndërruar në një kufi të NATO-s e Rusisë.

Kundër kësaj deklarate të kryeministrit reagoi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili pretendoi se Kurti po përpiqet që të viktimizohet para botës.

“Serbia i ka kufijtë e saj, as kufij të Rusisë e as të NATO-s, por të sajin, të përcaktuar me Kartën e OKB-së dhe me Rezolutën 1244. Ne e kemi vendin tonë, me të cilin krenohemi, Serbinë. Nuk i përcaktoni ju kufijtë, por e drejta ndërkombëtare”, ka reaguar Vuçiqi.

E William Walker, ish-udhëheqës i Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë sa më parë që Serbia ta pranojë integritetin territorial dhe pavarësimin e Kosovës, aq më shpejt do të shuheshin mospajtimet mes dy vendeve

“Besoj se gjëja kryesore që Serbia mund të bëjë për të ecur përpara në negociata do të ishte njohja e Kosovës. Nëse ata nuk janë të gatshëm që ta njohin Kosovën si një komb tjetër të pavarur, nuk jam i sigurt se do të keni një marrëveshje së shpejti”, ka thënë Walker.

Marrëveshjen Kosovë-Serbi, me njohjen reciproke në qendër, të shtunën e rivlerësuan si elementin kyç për dialogun përfaqësues të opozitës.

Kryetari i Lidhjes Demokratike, Lumir Abdixhiku, ka thënë se Kosovës nuk i duhet një ujdi bazë me Serbinë.

“Asnjë plan që s’është marrëveshje finale dhe që nuk e ka njohjen në të nuk është i mirë për Kosovën. Kaq mund të them. Nuk e kam dokumentin në tavolinë, s’kam punuar me atë dokument dhe nuk kam mundur të shoh më gjatë. LDK-ja nuk është pjesë e këtij procesi, por pozicioni i LDK-së është se marrëveshja me Serbinë duhet të jetë finale dhe duhet të ketë njohjen në të”, ka deklaruar Abdixhiku.

Marrëveshja përfundimtare me njohjen reciproke është kërkesë edhe e Shteteve të Bashkuara, që u përcoll në Kosovë dhe në Serbi nga këshilltari i lartë i Departamentin amerikan, Derek Chollet, i cili ditë më parë qëndroi për vizitë në Prishtinë dhe në Beograd.