Në qytetin e heronjve të Kosovës, Enver Zymberi e Afrim Bunjaku, ka bërë fushatë të hënën, kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti. Ka thënë se gjaku i tyre s`ka shkuar për kot, derisa vushtrriasve u ka premtuar përkrahje në prodhimtari e investime në spitalin e stadiumin e qytetit
Me këngë e brohoritje, është pritur kandidati i Vetëvendosjes për kryeministër, Albin Kurti, në tubimin qendror në Vushtrri.
Thirrjeve të pjesëmarrësve që e rrethonin në të katër anët nuk i rezistoi as vet Kurti.
Vushtrriasve u tha se me përfundimin e rrugës nga Prishtina atyre ua ka shkurtuar për gjysmë ore kohën e udhëtimit. U premtoi investime në spital, në stadium e përkrahje në prodhimtari.
“Vushtrrinë, rajonin e Shalës do ta mbështesim me agroturizëm, e do të ju mundësojmë parkun energjetik në Qyqavicë dhe do ta përkrahim industrinë prodhuese ushqimore e të mobilieve”, tha Kurti.
Tek foli për investimet në shpërndarjen e internetit, thumboi partitë opozitare.
“Me qeveritë e kaluara është dashtë me u ndal në kafe me lyp paswordin e wifi e opozita ende e lyp paswordin e wifi-s. Mirë kish qenë naj kush prej juve që e ka naj kontakt e ta me u tregu që nuk ka nevojë mo se rrjeti është 5g mos lypni mo password të wifi nëpër kafet e çajtoret e Vushtrrisë”, tha ai.
Në Vushtrri, Kurti tha se pret të fitojë 25 mijë vota, derisa iu përgjigj edhe thirrjeve që iu bënë.
“Baba po me dalë në zgjedhje, por jo veç babat, edhe djemtë, edhe vajzat, edhe nanat, edhe dajtë, edhe hallat edhe tezet edhe kushërinjtë e të gjitha anëve me dalë më 9 shkurt e me votu Vetëvendosjen”, tha Kurti.
Pa përmendur nuk la as dy heronj që Kosovës i dha Vushtrria.
“… gjaku i Enver Zymberit dhe gjaku i Afrimit Bunjakut nuk kanë shkuar kot. Gjaku I tyre, mundi e sakrifica e tyre është shpaguar sepse Republika juaj ka fituar”.
Kandidatja për deputete e Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, veçmas u mor me njërin nga prokurorët që për intervisim ka ftuar kryeministrin Kurti. Sipas saj, është i njëjti prokuror që ka mbyllur dosjen e dërguar nga Ministria e Drejtësisë.
“Prokurori që po i çon ftesë kryeministrit si dëshmitar për rezervat shtetërore e ka mbyllë atë rast. Prokurori Milot Krasniqi e ka mbyll pronën e Vicianumit po tash po merret me kryeministrin Kurti, por jo më pas 9 shkurtit”, tha Haxhiu.
Paraprakisht, kandidati për kryeministër, ditën ka kaluar nëpër fshatrat e Obiliqit ku ka takuar punëtorë të KEK-ut dhe disa nga fermerët e kësaj komune.