Arbëri

Kurti në SHBA tregon se “çka mund të mësojë bota nga Kosova”

Kurti në SHBA tregon se “çka mund të mësojë bota nga Kosova”

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, të shtunën ka prezantuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës qasjen e qeverisë së tij në përballjen me krizat globale. E ka bërë këtë në diskutimin e Institutit Zolberg me temën “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”, sipas njoftimit nga Kryeministria.

Sipas njoftimit, në fjalimin e tij, Kurti ka thënë se qeveria e tij u ka dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës në kohërat sfiduese “dhe ia ka dalë pa rritur normat e taksave ose pa e rritur borxhin publik”.

“Në një kohë kur ekonomitë e shumë vendeve janë të dëmtuara nga detyrimet ndaj kreditorëve, është jetike që qeveritë të mendojnë jo vetëm se si mund t'i mbështesin më mirë qytetarët e tyre, por edhe si ta bëjnë këtë pa u zhytur në një spirale të rrezikshme rritjeje eksponenciale të borxheve dhe pagesave me interes”, u shpreh Kurti, sipas njoftimit.

Kurti ka thënë se Qeveria e tij ka ndërmarrë masa si kundërpërgjigje ndaj inflacionit. Këtu ka përmendur aprovimin e ligjit për çmimet tavan edhe për produktet bazike, edhe pse ky ligj është hedhur poshtë nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetues.

“Pjesë e politikave qeverisëse ishin dhe rritja e punësimit, mbështetja e fermerëve, bizneseve prodhuese e veçanërisht ato të vogla e të mesme, ekonomitë familjare duke subvencionuar energjinë, mbështetje për nënat lehona dhe fëmijët përmes shtesave, programe për incentivimin e punësimit për të rinjtë, bursa për studentët si dhe fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), arsim publik të lartë falas, rritje të pagës minimale, pagave në sektorin publik dhe pensioneve si dhe mbulim më të lartë nga ana e qeverisë të barnave për pacientët, ndërtimi i shkollave e çerdheve të reja, urave dhe rrugëve rajonale që lidhin fshatrat dhe zonat rurale”, ka thënë tutje Kurti që ka shtuar se qeverisja e tij ka qenë e fokusuar në barazi gjinore, ndihmë për ata që kanë më së shumti nevojë, por edhe për siguri, sundim të ligjit e luftim të korrupsionit.