Arbëri

Kurti në SHBA: Në kohë sfiduese u ndihmuam qytetarëve pa i rritur taksat e borxhin publik

kurti

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria u ka dalë në ndihmë qytetarëve të Kosovës pa rritur normat e taksave dhe pa rritur borxhin publik. Ai këtë deklaratë e ka bërë në diskutimin e organizuar nga Instituti Zolberg mbi Migrimin dhe Mobilitetin në kuadër të universitetit “The New School” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me titull “Mbështetja e qytetarëve të thjeshtë në një krizë ekonomike globale: Çfarë mund të mësojë bota nga Kosova”.

Në komunikatën e publikuar të shtunën në faqen zyrtare të internetit te Qeverisë së Kosovës, bëhet e ditur se Kurti prezantoi qasjen e qeverisë që drejton në përballje me krizat globale dhe kanalizimin e ndihmës drejt atyre që kanë më së shumti nevojë, e cila mund të shërbejë si shembull edhe për shtetet e tjera, të cilat kanë përjetuar të njëjtat sfida.

Ai përsëriti se “qeveria i ka ardhur në ndihmë qytetarëve të Kosovës në këto kohë sfiduese dhe ia ka dalë ta bëjë këtë pa rritur normat e taksave ose pa rritur borxhin publik”.

“Në një kohë kur ekonomitë e shumë vendeve janë të dëmtuara nga detyrimet ndaj kreditorëve, është jetike që qeveritë të mendojnë jo vetëm se si mund t’i mbështesin më mirë qytetarët e tyre, por edhe si ta bëjnë këtë pa u zhytur në një spirale të rrezikshme rritjeje eksponenciale të borxheve dhe pagesave me interes”, ka thënë Kurti.

Duke folur rreth masave të marra si kundërpërgjigje ndaj inflacionit, ai theksoi nevojën për ndaljen e rritjes së mëtejme të saj, frenimin e rritjes së çmimeve të importit dhe interesave të korporatave të manifestuara me rritjet të çmimeve dhe rritje të marzhave të fitimit për të përfituar nga situata e krijuar, në dëm të qytetarëve dhe konsumatorëve.