Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Mërgata, burim që ndihmon në zhvillimin ekonomik e social të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është pritur nga mërgata në Francë, Gjermani, Zvicër, Belgjikë e Luksemburg, në një organizim të Konsullatës së Përgjithshme në Kosovës në Strasburg.

Në këtë takim, Kurti e ka cilësuar mërgatën si aset që ndihmon në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë.

“Përvoja dhe njohuritë që mërgata i sjell në atdhe, janë një burim jashtëzakonshëm i pasurisë dhe mund të ndihmojnë në ngritjen e zhvillimit ekonomik dhe social në Kosovë. Kryeministri Kurti i falënderoi për interesimin e vazhdueshëm dhe kontributin e pareshtur të tyre për vendin dhe shtetin përgjatë secilës fazë të tij”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

Gjatë këtij takimi, thuhet se Kurti ka prezantuar para tyre punën e Qeverisë përgjatë dy vjetëve dhe qasjen e saj për mërgatën.

“Kryeministri Kurti përmendi dhe krijimin e Fondit Sovran, i cili do t'i marrë nën pronësi asetet strategjike të Republikës së Kosovës, për t'i valorizuar ato, për mundësimin e investimeve të jashtme dhe qasjen në tregje të huaja të kapitalit. Sipas Bankës Qendrore të Kosovës, në pesë vitet e fundit në Kosovë kanë hyrë 4.54 miliardë euro si remitenca dhe 1.54 miliardë euro si investime të huaja direkte. Por mërgata është shumë më tepër sesa kontribuese kyçe në ekonominë e vendit. Atë e shohim dhe si një burim shumë të rëndësishëm të dijes dhe përvojës për Kosovën, e cila mund të ndihmojë në rritjen e kapaciteteve dhe aftësive të profesionistëve e të organizatave”, thuhet më tej në njoftimin e ZKM-së.