Arbëri

Kurti i fton mërgimtarët të investojnë në Kosovë

Kryeministri Albin Kurti, takoi të enjten në Zvicër, studentë e mërgimtarë, me të cilët diskutoi rreth zhvillimit të vendit e përpilimit të politikave zhvillimore.

Ai deklaroi se mërgata duhet të motivohet për të kontribuar në Kosovë.

“Kryeministri Kurti po ashtu iu përgjigj pyetjeve të të pranishmëve rreth strategjisë së re të qeverisë për mërgatën dhe angazhimit të tyre në qëllimet edhe nevojat e institucioneve të vendit, si dhe dëgjoi idetë dhe propozimet e tyre”, thuhet në komunikatën e Zyrës së kryeministrit dërguar mediave të enjten.

Studentët, sipas komunikatës, kërkuan që të krijohet një pikë kontakti “nëpërmjet së cilës do të ofronin vullnetarisht dijen e tyre”.

“Ata kërkuan që t’u njihen kualifikimet e Zvicrës, t’u jepet mundësia që të punojnë dhe të bëjnë hulumtime shkencore në institucione. Po ashtu sugjeruan zgjerimin e mbështetjes financiare për start-up ndërmarrjet”.

Që nga e hëna, kryeministri Kurti po qëndron në Zvicër, pas vizitës 18-ditëshe që pati në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të mërkurën, ai vizitoi një fabrikë të çokollatave.