Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Konferenca e Bujanit vendosi të drejtën tonë për vetëvendosje

Sot në prishtinë filloi tryeza "75 vjetori i Konferencës së Bujanit dhe ndikimi i saj".

Në hapje të saj foli kryetari i Vetëvendosjes Albin Kurti.

Ai pasi përkujtoi se konferenca e Bujanit u mblodh më 31 dhjetor 1943, në kullën e Sali Manit, në Bujan të Tropojës, në Malësi të Gjakovës, tha ajo ka qenë një konferencë e gjerë e frontit antifashist të Kosovës, dhe aty kanë marrë pjesë përfaqësues të të gjitha shtresave e krahinave të Kosovës: komunistë, nacionalistë, demokratë, madje edhe përfaqësues të pakicave serbe e malazeze.

Kjo konferencë, vazhdoi Kurit, edhe pse thuajse është heshtur në diskutimet e sotme, dhe nuk njihet mjaft nga qytetarët, është tejet e vlefshme, si një nga momentet e rëndësishme kur populli i Kosovës, ndërkohë që rreshtohej kundër fashizmit si shumë popuj të tjerë të botës, në të njëjtën kohë, afirmonte të drejtën e vet për Vetëvendosje, dhe dëshirën e vet të kahershme e të vazhdueshme për t'u bashkuar me Shqipërinë. Rezoluta e Bujanit, e cila i përmban pikërisht këto shprehje, u votua prej të gjithë pjesëmarrësve, përfshi edhe atyre serbë e malazezë.

Konferenca e Bujanit dhe rezoluta e dalë prej saj do të duhej të citoheshin edhe në dokumentet themeluese të pavarësisë e të shtetësisë së Kosovës, si një nga pikat ku e drejta jonë afirmohet dhe merr legjitimitet. Mund të duket e parëndësishme sot, ku injoranca i shtyn njerëzit të harrojnë të shkuarën e të mendojnë veç për të tashmen, mirëpo ju i shihni vendet e zhvilluara të botës se sa rëndësi i japin historisë së tyre, se si i përkujtojnë ngjarjet historike, edhe pse mund të kenë ndodhur shumë dekada apo edhe shekuj më parë, tha Kurti .

Lufta e dytë botërore dhe fitorja e antifashizmit përbëjnë themelin e Evropës së sotme, andaj theksimi i Konferencës së Bujanit dhe ndërkombëtarizimi i asaj rezolute do t'i bënte mirë çështjes së dinjitetit ndërkombëtar të Kosovës, sepse serbët që sponsorizojnë diskutimin përgjithësues dhe hiperbolizues të batalionit SS të ndërtuar në rrethana të dyshimta nga shqiptarë të mashtruar prej bashkëpunëtorëve me nazistët, nuk janë ndalur asnjëherë, askund.

Po ashtu, shpesh, nën sponsorizimin serb, thuhet se bashkimi i Kosovës me Shqipërinë i ka paraprirë bashkimi i dy vendeve nën Italinë fashiste e Gjermaninë naziste, dhe kësisoj ata duan ta njollosin të drejtën tonë për Vetëvendosje. Por është pikërisht konferenca e Bujanit e cila e vendos të drejtën tonë për Vetëvendosje si një atribut çlirimtar e antifashist, të rreshtuar me progresin evropian e botëror. Pra, jo Vetëvendosje për hegjemoni e nga shovinizmi, por Vetëvendosje për liri, barazi, drejtësi e sidomos çlirim.

Edhe 78 vjet nga përfundimi i Konferencës së Bujanit që thërriste për vetëvendosje Arbëri 78 vjet nga përfundimi i Konferencës së Bujanit që thërriste për vetëvendosje

Konferenca e Bujanit u mbajt një muaj pas konferencës së AVNOJ-it të Jajces, ku Kosova nuk u përmend fare e nuk mori pjesë, dhe pikërisht kjo mospërmendje e Kosovës në mbledhjen e komunistëve jugosllavë e shkaktoi emergjencën e partizanëve shqiptarë që shpallën të drejtën e tyre për vetëvendosje.

Rezoluta që doli nga Konferenca e Bujanit, fatkeqësisht u rrëzua në mënyrë jolegjitime nga një konferencë tjetër, e mbajtur në Prizren pas luftës.

Mbledhja e Prizrenit u mbajt nën kërcënimin e serbomëdhenjve, megjithatë, fryma e vetëvendosjes e pohuar njëzëri në Bujan nuk u shua, ajo vazhdoi në lëvizjet kombëtare ilegale e legale, në demonstratat e ‘68 e të ‘81, dhe sigurisht, edhe në luftën çlirimtare të UÇK-së, e në përpjekjet e angazhimet e sotme për vetëvendosje të popullit tonë, përfundoi Kurti.