Arbëri

Kurti këmbëngul të ketë nënshkrim të marrëveshjes: Serbia shkeli tetë nga 11 nenet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka këmbëngulur që të ketë nënshkrim të Marrëveshjes Bazike me Serbinë, të arritur më 27 shkurt në Bruksel, duke thënë se Serbia ka shkelur tetë nga 11 nenet e asaj marrëveshje.

Në një konferencë për media pas takimit me kryeministrin irlandez të enjten, Kurti ka thënë se po këmbëngul në nënshkrim pasi po do siguri ligjore që marrëveshja të zbatohet dhe të mos shkelet.

Shefi i Qeverisë ka theksuar se marrëdhëniet normale me Serbinë janë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian.

“Dëshirojmë marrëdhënie normale me fqinjin tonë verior dhe marrëdhëniet normale janë marrëdhëniet evropiane të fqinjësisë së mirë. Është e rëndësishme për paqen, sigurinë dhe integrimin evropian që paraqet edhe fatin tonë, por edhe synimin tonë. Më 27 shkurt, jemi dakorduar për Marrëveshjen Bazike dhe më 18 mars, për Aneksin e Zbatimit. Problemi është që nga 11 nenet e Marrëveshjes Bazike, së paku tetë janë shkelur nga Serbia. Ne kërkojmë siguri ligjore jo vetëm për zbatim, por edhe për mos ta shkelur. Kjo është arsyeja pse kemi kërkuar nënshkrim. Normalizimi duhet të jetë normal, andaj insistojmë të ketë nënshkrim. I bëj thirrje si arbitër Bashkimit Evropian që gjithmonë të reagojë, edhe në shkeljet e vogla që mund të bëhen, e fatkeqësisht ato janë të shumta e jo të vogla”, ka thënë Kurti.

LEXO EDHE:

https://www.koha.net/arberi/370257/publikohet-aneksi-i-zbatimit-te-marreveshjes-kosoves-serbi/


Kurti: Radoiçiq t’i dorëzohet Kosovës e jo të ngelet i lirë në Serbi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ish-nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radoiçiq, kreu i grupit paramilitar që kreu sulm terrorist në Banjskë më 24 shtator, duhet t’i dorëzohet autoriteteve të Kosovës e jo të endet i lirë në Serbi.

Kurti ka thënë se prioritet është siguria e Kosovës.

“Siguria nënkupton sigurimin e kufijve të Kosovës. I kemi 380 kilometra kufij me Serbinë. Në këta kufij kanë ardhur edhe grupet paramilitare, terroriste e kriminale që vranë policin tonë, tashmë heroin Afrim Bunjaku. Por, njëkohësisht ka ardhur edhe armatim e municion me vlerë miliona euro nga fabrikat e Serbisë, të lëshuara nga ushtria e Serbisë për grupet kriminale. Armatimi e municioni që u konfiskua në Kosovë më 23 qershor, më 5 shtator dhe 24 shtator. Së pari është siguria. Së dyti është siguria. Milan Radoiçiq, kreu i grupit paramilitar terrorist, duhet dorëzuar në Kosovë nga autoritetet serbe e jo të ngelet i lirë në Serbi. E treta është nënshkrimi i marrëveshjes dhe respektimi i asaj që kemi bërë deri më tash, pa shkelje e pa dhunim të neneve apo preambulës siç ka ndodhur nga pala serbe gjatë viteve të kaluar”, ka thënë Kurti në konferencë për media pas takimit me kryeministrin e Irlandës.

Kurti ka thënë se më 26 tetor në Bruksel gjatë takimit me liderët e shteteve më të mëdha të BE-së, kishte ofruar të nënshkruante si pako marrëveshjen bazë, aneksin e zbatimit dhe draftatutin e asociacionit, që ishte propozim euroamerikan.

“Unë pata vërejtjet e mia për drafstatutin, por aty në Bruksel mu tha se është çështje urgjente. Agresioni rus në Ukrainë s’po përfundon. Një luftë në Lindje e Mesme nisi dhe është e domosdoshme të bëhet diçka shpejt”, ka thënë Kurti, që tregoi se oferta për nënshkrim ishte refuzuar nga pala serbe.

Kurti në një postim të mëhershëm në Facebook i ishte kundërpërgjigjur një deklarate të emisarit të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, që tha se Asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës.

“Në postim thash se mund ta shkruaj drafstatutin, pasi Lajçak kishte thënë se asociacioni është çështje e brendshme e Kosovës. Pse kemi diskutuar atëherë dy vjet në Bruksel, e kemi humbur kohë. Nëse është e brendshme, siç u tha për herë të parë, unë mund ta shkruaj. Kam shprehur aftësinë vetjake për ta shkruar. Por të mos e ngatërrojmë hierarkinë e gjërave. Marrëveshja bazë, aneksi i zbatimit e vetëm më pas mund të flasim për asociacionin. Gjithë ata që e nxjerrin asociacionin nga pako, i bëjnë dëm Kosovës. S’mund ta nxjerrësh asociacionin nga paketa e ta bësh prioritet”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se me kryeministrin e Irlandës është pajtuar se një shtet vlerësohte mbi atë se si i respekton të drejtat e pakicave.

“Komuniteti serb e ka gjuhën zyrtare në çdo komunë në të gjitha nivelet e administratës. Edhe në pasaportën e kryeministrit, shkruan ‘pasosh’ në çirilicë. 10 vende i kanë në Kuvend, të cilat po i bojkotojnë, për dallim nga pakicat tjera që s’i bojkotojnë ato. Kosova e bën më të mirën e mundshme”, tha Kurti.