Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Von der Leyenit i kërkova heqjen e masave ndaj Kosovës e sanksionimin e Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në takimin që e ka zhvilluar me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, i ka kërkuar asaj heqjen e masave ndaj Kosovës.

Në një postim në Facebook, Kurti ka shkruar se në takim i ka thënë Vond der Leyenit se Republika e Kosovës “ka dëshmuar mirëbesim në dialog duke respektuar marrëveshjen Bazë dhe Aneksin dhe përkushtim në zbatimin e saj duke ofruar nënshkrimin e propozimit nga BE-ja dhe ShBA-të për zbatimin e nenit 7 në lidhje me nenin 10 të marrëveshjes, në një paketë të përbashkët”.

“Kërkova që, në përputhje me këto zhvillime, të hiqen masat ndaj Kosovës dhe të merren masa ndaj Serbisë edhe për sulmin terrorist ndaj Kosovës edhe për mos-gatishmërinë për normalizim të marrëdhënieve duke refuzuar përsëri nënshkrimin me 26 tetor në Bruksel”, ka shkruar Kurti.

Për këtë takim një njoftim e ka lëshuar edhe Kryeministria.

Në njoftim thuhet se Kurti, e ka falënderuar presidenten e Komisionit Evropian për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës.

Kurti gjatë takimit me Von der Leyenin thuhet se ka folur edhe për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku. Kurti ia ka cekur Von der Leyenit rëndësinë e stradimit të Milan Radoiçiqit, i cili ka pranuar se ishte organizator i sulmit, është thënë në njoftimin e Kryeministrisë.

Edhe Kurti në takim me Von der Leyenin kërkon që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës Arbëri Kurti në takim me Von der Leyenin kërkon që BE-ja t’i heqë masat ndaj Kosovës

“Duke i uruar mirëseardhje në ndërtesën e Qeverisë dhe kryeqytetin e Republikës, kryeministri Kurti falënderoi Presidenten e Komisionit Evropian, von der Leyen për përkushtimin e saj ndaj agjendës evropiane të Kosovës, teksa e njoftoi atë me rezultatet e deritanishme të qeverisjes, zhvillimet e fundit në vend, takimin e 26 tetorit me liderët evropianë dhe me qëndrimin e Kosovës në raport me propozimin e BE-së dhe ShBA-së për zbatimin e nenit 7, ndërlidhur me nenin 10 të Marrëveshjes Bazike. Ai e njoftoi edhe për projektet e ndryshme infrastrukturore, përfshirë ato të cilat tashmë kanë mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, por edhe projekte tjera të cilat mund të përfitojnë nga mbështetja, sikurse është ai i hekurudhës Prishtinë-Durrës. Në lidhje me sulmin terrorist, paramilitar dhe kriminal të 24 shtatorit, kryeministri Kurti theksoi rëndësinë dhe nevojën e ekstradimit të Milan Radoiçiq në Kosovë ku do të ballafaqohej me një gjykim fer dhe të drejtë për veprat e tij, dhe në të njëjtën kohë domosdoshmërinë e sanksioneve ndaj Serbisë në mënyrë që sulme të tilla mos përsëriten”, është thënë në njoftimin.

Në takim është biseduar edhe për Planin për Zhvillim të BE-së për Ballkanin Perëndimor, si dhe për Tregun e Përbashkët Rajonal.

Von der Leyen ka vizituar Kosovën të hënën, në kuadër të një turneu të saj në Ballkan. Ajo është takuar fillimisht me presidenten Vjosa Osmani. Pas takimit me Osmanin, Von der Leyen është takuar me Kurtin.