Ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikë për masakrën e 2 majit 1999 në Studime, ka thënë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në përvjetorin e 23 të kësaj masakre.
Në akademinë përkujtimore për këtë masakër, të hënën, Kurti ka thënë se 116 civilë të pafajshëm, përfshirë fëmijë e gra, janë vrarë për rreth një orë e gjysmë.
“Krejt kjo ka ndodhur prej orës 20 deri në ora 21 të mbrëmjes. Përafërsisht një orë e gjysmë tmerr që shkaktoi humbje të pakthyeshme, vuajtje të pashlyeshme dhe dëm të pariparueshëm jo vetëm te familjarët, por tek i gjithë populli”, ka thënë Kurti në ceremoni.
Ai ka shtuar se një nga dëshmitarët e asaj çfarë ka ndodhur në mbrëmjen e 2 majit, Idriz Popova, ka treguar që ushtarakët serbë kanë tentuar të kthehen për t’i marrë kufomat, por falë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk kanë mundur. Fshatarët i kanë varrosur për tri ditë trupat e pajetë të të vrarëve.
“Përtej tmerrit të vrasjeve, tentimi për largim të trupave dhe fshehjes së këtij krimi makabër, e bën këtë masakër edhe më të rëndë. E ajo që rëndon edhe më tepër, është se sot, 23 vjet pas luftës, ende nuk ka asnjë vendim gjykate që dënon dikë për këtë masakër. Asnjë hetim që ka prodhuar rezultat nga Prokuroria Speciale. Vetëm heshtje”, është shprehur Kurti.
Kreu i Qeverisë ka kujtuar edhe arrestimin e luftëtarëve të UÇK-së, që edhe tani vazhdojnë të mbahen në burg nga Gjykata Speciale në Hagë, por që për masakrën e Studimes nuk është dënuar askush.
“Në momente si ky, na duhet të bëhemi bashkë, prandaj këtu jam edhe unë, është edhe kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, janë edhe deputetët e asamblistët e të gjitha partive politike dhe së bashku duke përkujtuar martirët e dëshmorët, të shtrëngojmë fort dhimbjen që ndjejmë e të zotohemi dhe angazhohemi që të bëjmë më të mirën për të ardhmen e vendit tonë, të fëmijëve tanë, të gjeneratave që do të vijnë”, ka thënë Kurti.
Ndërkohë, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se më 2 maj 1999, forcat e regjimit serb brenda dy orësh pushkatuan 116 civilë, në mesin e të cilëve pati gra, fëmijë dhe një nënë shtatzënë.
“Që nga fëmija 5-vjeçar, nëna shtatzënë e deri te më i moshuari, u vranë mizorisht nga regjimi gjenocidal serb brenda dy orësh. Kjo tregon qartazi për një krim monstruoz të planifikuar dhe për të cilin fatkeqësisht ende askush nuk është vënë para drejtësisë. Kjo është ndër masakrat më të tmerrshme në Kosovë. Nderimi për të rënët është obligim i yni, krahas angazhimit që autorët e krimit të vihen para drejtësisë”, ka thënë Osmani në deklaratën e lëshuar për media.