Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: Gratë dhe vajzat vazhdon t’i vrasë sistemi patriarkal

Në ceremoninë përmbyllëse të fushatës globale “16 ditët e aktivizmit”, të shtunën është thënë se situata gjinore në Kosovë është larg asaj që dëshirohet të jetë dhe se vrasja e grave dhe vajzave vjen si rezultat i sistemit patriarkal të ndërtuar ndër breza. Në këtë ceremoni u theksua se nuk mjaftojnë 16 ditë për ta parandaluar dhunën me baza gjinore, por që duhet të punohet vazhdimisht në këtë drejtim

Kryeministri Kurti, të shtunën në ceremoninë përmbyllëse të fushatës “16 ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”, ka thënë se “fara e së keqes” është në sistemin patriarkal të ndërtuar ndër vite, e që po vazhdon të vrasë gratë dhe vajzat çdo ditë. Sipas tij, dhuna ndaj grave është shkelja më e turpshme e të drejtave të njeriut jo veç në vend, por kudo. E ka nisur fjalimin e tij duke përmendur emrat e grave dhe vajzave të vrara ndër vite në Kosovë. Ka thënë se nuk dihet edhe sa histori të tjera nuk janë bërë publike.

“Ne do të mund të adresojmë më së miri këtë problem kaq të madh në shoqërinë tonë, sa më shumë që punojmë së bashku. Sepse gratë dhe vajzat secilën ditë vazhdon t’i vrasë sistemi patriarkal i ndërtuar ndër vite e ndër breza. Vazhdon t’i vrasë secilën ditë secila familje që vajzën e rrit ndryshe prej djalit, sepse aty është fara e së keqes. Që vajzës i thotë ‘ti rri në shtëpi se është vonë’ e djalit ia rrah krahët. Vazhdon t’i vrasë mungesa e sistemit prokurorial e gjyqësor efektiv. Por ne duhet të vazhdojmë e do të vazhdojmë të punojmë së bashku e të mos dorëzohemi asnjëherë”, ka thënë kryeministri Kurti në ceremoninë e mbajtur në hollin e Kuvendit të Kosovës.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka thënë se situata gjinore në Kosovë është larg asaj që duhet të jetë. Sipas tij, kjo gjendje është një betejë në 100 fronte e disa nga këto fronte janë drejtësia, edukimi dhe legjislacioni.

“Çështja e barazisë gjinore nuk është vetëm një regjistër që mbrohet e rregullohet me mekanizma të sigurisë. Ka të bëjë me arsimin qysh prej moshave shumë të hershme të fëmijërisë. Ne duhet t’i edukojmë pa u ndalur, pa u lodhur, fëmijët tanë në kuptimin e asaj që quhen rolet gjinore në shoqëri, sepse ka një keqkuptim të madh edhe në këtë aspekt. Mendohet që burrat duhet të kenë angazhim më të madh publik, që i kanë disa të drejta të rezervuara më të mëdha, vëllimi i të drejtave të tyre dhe hapësirës së tyre të angazhimit publik konceptohet si diçka apriori e nënkuptueshme. Kjo duhet të luftohet edhe në shkollat tona, jo vetëm prej familjeve tona”, ka thënë ai.

Kryetarja e Grupit të Grave Deputete, Tinka Kurti, ka thënë se do të donte të mos kishte nevojë të fliste e vepronte kundër vrasjes së grave, por që kjo do të thotë se ende nuk ka një zgjidhje efektive që parandalon dhunën. Sipas saj, gratë po vriten e rrihen pavarësisht moshës, shtresës ekonomike e rajonit për shkak të gjinisë.

Edhe Nis fushata “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore” Arbëri Nis fushata “16 Ditët e aktivizmit kundër dhunës në baza gjinore”

“Prandaj, ky është femicid. E përbashkëta e krimeve është se kryerësit ishin burra, viktimat ishin gra. Këtu nuk bëhet fjalë për xhelozi apo çfarëdo motivi tjetër, bëhet fjalë për mentalitetin më brutal që jep patriarkalizmi, që gratë janë pronë e burrit. Kësisoj janë të cenueshme, madje edhe të vrasshme në momentin e parë që nuk sillen saktësisht si prona e bindur”, ka thënë ajo.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës ka thënë se nuk mjaftojnë 16 ditë dhe se i duhet kushtuar i tërë viti parandalimit të dhunës dhe vrasjeve.

“Unë si aktiviste jam kundër 16-ditëshit. Unë si aktiviste them se duhet kushtuar edhe 349 ditë të tjera të kushtohen, jo vetëm këto 16 ditë. Prandaj edhe unë, sikurse kryetari i Kuvendit them të mos ndalojmë, por çdo ditë tjetër ta shfrytëzojmë dhe ta ngremë zërin së bashku dhe të sigurohemi që gjërat po ecin drejt parandalimit të dhunës, e le më vrasjeve”, ka thënë Rogova.

Rogova ka shtuar se duhet funksionalizuar të gjitha hallkat, që nga policia e deri te strehimoret, në mënyrë që të parandalohet dhuna. Sipas saj, ka përçarje midis këtyre hallkave.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se angazhimi kundër dhunës duhet të vazhdojë dhe se ka një rrugë të gjatë për të arritur një botë të barabartë, andaj angazhimi i gjithsecilit duhet t’i kontribuojë kauzës së përbashkët.

Edhe Kurti: Demokracia s'është e fortë pa përfaqësim të barabartë të grave Arbëri Kurti: Demokracia s'është e fortë pa përfaqësim të barabartë të grave

Fushata “16 ditët kundër dhunës në baza gjinore” filloi më 25 nëntor, në të njëjtën datë kur u vra 63-vjeçarja nga burri i saj me sëpatë. 5 ditë më vonë është vrarë edhe një 35-vjeçare shtatzëne.

Në kuadër të kësaj fushate janë organizuar rreth 200 aktivitete me qëllim të vetëdijesimi kundër dhunës me baza gjinore.