Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e Osmani ua kërkuan të gjitha partive prezencën në seancat e zgjedhjes së institucioneve

Edhe pse s’ishin deklaruar pas asnjë takimi me liderë partiakë, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kandidatja për presidente, Vjosa Osmani, kanë njoftuar se ua kanë kërkuar të gjitha partive politike prezencën në seancat e zgjedhjes së tri institucioneve kryesore të shtetit.

Të premten, Kurti e Osmani patën takimin e fundit në kuadër të ciklit të takimeve me partitë që kanë fituar ulëse në Kuvend. Ata mbyllën takimet me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Sipas një njoftimi të përbashkët mes VV-së dhe listës së Vjosa Osmanit, “me të gjitha palët, takimet janë zhvilluar në frymë konstruktive”.

“Përgjatë këtyre takimeve, z.Kurti dhe zonja Osmani i kanë informuar subjektet politike për përgatitjet dhe ecurinë e krijimit të institucioneve të reja, të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit. Në këtë kontekst, të dy kandidatët u kanë ofruar subjekteve politike bashkëpunim për çështje të interesit nacional. Ata kanë kërkuar konstruktivitet të subjekteve politike nëpërmjet prezencës në të tri seancat e zgjedhjes në të tri institucionet kryesore të shteti”, bëhet e ditur në një njoftim për media.

Megjithatë, aty s’është cekur se a kanë arritur të sigurojnë garancinë e partive të tjera për pjesëmarrje në votim, sidomos te çështja e zgjedhjes së presidentit, që kërkon të paktën 80 vota, nga të cilat 60 duhet të jenë për Osmanin që ajo të zgjidhet presidente.

Edhe Takimi 3-orësh Kurti-Abdixhiku mbyllet pa marrëveshje Arbëri Takimi 3-orësh Kurti-Abdixhiku mbyllet pa marrëveshje

Seanca konstituive është thirrur për 22 mars.

Lista e përbashkët mes VV-së dhe Osmanit fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit duke marrë mbi 50 për qind të votave. Kurti ishte kandidat për kryeministër, e Osmani për presidente.