Arbëri

Abdixhiku pritet të takohet sot me Kurtin dhe Osmanin

Descriptive Text

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pritet të takohet sot me liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin dhe kandidaten për presidente, Vjosa Osmanin, takim ky i ftuar nga partia fituese e zgjedhjeve të 14 shkurtit.

Takimi pritet të fillojë në orën 14:30 ndërsa është thënë se do të diskutohet për kandidimin e Osmanit për postin e presidentes dhe votën ose qëndrimin në sallë të LDK-së për të, raporton KOHA.

Lëvizja Vetëvendosje gjatë javës është takuar me liderin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn, ushtruesin e detyrës të kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajn dhe me partitë joshumicë. Që të dy nuk kanë lënë të kuptohet se do e votojnë Osmanin për presidente të vendit ndërsa disa prej zyrtarëve të partive joshumicë kanë deklaruar se kanë votë për Kurtin kryeministër dhe Osmanin presidente.

KOHA ka raportuar të enjten se kreu i LDK-së Abdixhiku, për t’ia bërë kuorumin Osmanit, ka kërkuar që ajo ta qartësojë pozicionin e saj LDK-së, si dhe deputetët që i takojnë grupimit të Osmanit ta qartësojnë nëse do të jenë pjesë e qeverisë apo e opozitës.