Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e Mustafa, në një tjetër takim, pa asnjë rezultat për marrëveshjen

As pas takimit të tretë me radhë, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, nuk kanë arritur marrëveshje.

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, dhe ai i LDK-së, Isa Mustafa, vazhduan diskutimet për ndarjen e posteve, të cilat edhe këtë të enjte përfunduan pa ndonjë rezultat, raporton KTV.

Në ndërtesën e Kuvendit janë parë edhe Vjosa Osmani, Lutfi Haziri e Agim Veliu nga LDK-ja dhe Besnik Bislimi nga Vetëvendosje.

Megjithëkëtë, para takimit, i pari i Vetëvendosjes, Kurti, dhe ai i LDK- së, Mustafa, thanë se janë duke punuar në arritjen e koalicionit mes tyre.

As Kurti e as Mustafa nuk kanë shpalosur detaje nga asnjë prej takimeve të mbajtura gjatë kësaj jave.

Burime të KTV-së në Vetëvendosje kanë thënë se marrëveshje nuk ka, por ka lëvizje dhe po shqyrtohen opsione të reja. Sipas kësaj partie, po diskutohet me përgjegjësi të lartë, po negociohet me kujdes dhe kjo po bëhet në atmosferë dashamirëse dhe konstruktive.

Edhe Negociatat vazhdojnë nesër - dy partitë thonë se ka lëvizje pozitive Video Negociatat vazhdojnë nesër - dy partitë thonë se ka lëvizje pozitive

Siç merr vesh KTV-ja, LDK-ja nuk po pranon të tregojë se çfarë kërkon nga situata e re e krijuar dhe po pret t’i dëgjojë ofertat e Vetëvendosjes, për t’i shqyrtuar ato më pas.

Raportohet se Vetëvendosja është pajtuar për të pranuar propozim nga LDK-ja për presidentin, por mospajtimet lidhen me ndarjen e posteve ministrore, me partinë e Mustafës që kërkon më shumë ministri si kompensim për kryeparlamentarin, të cilin e mori Vetëvendosja.