Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti e komandanti i KFOR-it diskutojnë për zhvillimet e fundit të sigurisë

Zhvillimet e fundit të sigurisë kanë qenë temë diskutimi në takimin që kryeministri Albin Kurti ka pasur të shtunën me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajorin Ozcan Ulutas.

Sipas njoftimit të KFOR-it në platformën “X”, “komandanti i KFOR-it ka theksuar rëndësinë e koordinimit dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe efektiv me të gjitha institucionet e sigurisë, përfshirë KFOR-in dhe EULEX-in”.

“Komandanti konfirmoi se KFOR-i po e monitoron situatën nga afër dhe mbetet i gatshëm të veprojë në përputhje me mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, është thënë se Kurti ka deklaruar se Banka Qendrore e Kosovës “është institucion i pavarur e profesional dhe se Qeveria nuk mund e nuk duhet të ndikojë në vendimmarrjen e saj”.

“ Në këtë drejtim theksoi rëndësinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së institucioneve publike dhe funksionimit të pavarur e të pandikuar të tyre. Kryeministri foli edhe për rëndësinë e luftimit të pastrimit të parave dhe kriminalitetit dhe tha se Kosova EURO-n si valutë e ka marrë nga Bashkimi Evropian. Qeveria mbështet zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në gjithë vendin. Përveçse për ligjshmëri e rregull, kujdeset edhe për paqe dhe siguri. Mirëqenia dhe siguria e të gjithë qytetarëve të Kosovës është prioritet i Qeverisë, prandaj edhe do të përkujdeset që qytetarët të mos ndikohen negativisht nga vendimet e institucioneve. Në këtë drejtim çdo ankesë do të trajtohet me seriozitet dhe adresohet me shpejtësi”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur drojën se Kosova rrezikon të përballet me tensione të reja, pas hyrjes në fuqi të rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për ndalimin e dinarit serb, me të cilën valutë Serbia paguan serbët në Kosovë. E kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka dhënë garanci se situata nuk do të dalë jashtë kontrolli si pasojë e ndalimit të dinarit serb.