Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë homazhe të hënën, në Ditën e Dëshmorëve dhe Martirëve të Prishtinës, te varrezat e dëshmorëve në Velani, prej ku ka thënë se e kaluara është vendimtare për ecjen përpara të Kosovës si shtet dhe shqiptarëve si komb.
Në emër të Qeverisë, Kurti ka thënë se asnjëherë nuk do të harrohet çfarë është kaluar, duke iu falënderuar gjakut të këtyre dëshmorëve të rënë.
“Te flamuri kombëtar shqiptar që qëndron pranë varrezave të dëshmorëve të kombit këtu në Prishtinë, sot vendosëm lule të freskëta, meqenëse veçanërisht në ditën e dëshmorëve ne i kujtojmë e përkujtojmë këta njerëz të vendit tonë, të kryeqytetit që dhanë jetën për çlirimin e vendit. Kujtimi dhe përkujtimi ynë për ta është dëshmi që ne besojmë se për të tashmen tonë, për të ardhmen tonë, e kaluara e lavdishme është vendimtare në ecjen përpara të Kosovës si shtet she shqiptarëve si komb. Si Qeveri e Kosovës asnjëherë nuk do të harrojmë prej nga vijmë dhe ku duhet të shkojmë duke ju falënderuar gjakut të derdhur për liri që nuk do të shlyhet kurrë sikurse emri i këtyre dëshmorëve që nuk do të harrohet kurrë”, ka thënë Kurti.
Nga aty, Kurti me bashkëpunëtorë është nisur drejt sheshit "Zahir Pajaziti", në Prishtinë, ku ka bërë homazhe e ka vënë lule para shtatores së heroit kombëtar.
Kurti ka thënë se Pajaziti me bashkëluftëtarët tjerë kontribuuan që Ushtria Çlirimtare e Kosovës të marrë hovin e të shndërrohet në ushtri të vërtetë që u bë bartëse e çlirimit të vendit bashkë me ndërhyrjen e NATO-s kundër forcave ushtarake e paramilitare të Jugosllavisë e të Serbisë së Millosheviqit.
Edhe
Në Ditën e Çlirimit jepen zotime për shtet më të fortë
“Prishtina si kryeqytet gjatë luftës çlirimtare, vendi në kuadër të zonës operative të Llapit e ku kishin për komandant Zahir Pajazitin që dha kushtrimin e lirisë shumë herët, në këtë mënyrë mobilizoi mbarë popullin drejt qershorit kur edhe u realizua çlirimi i vendit. Këtyre që kontribuuan e u sakrifikuan ju kemi borxh që të ardhmen ta bëjmë shumë më të mirë sesa që e kemi të tashmen e më të ndritshme sesa të shkuarën”, ka deklaruar Kurti.
Osmani në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës: T’i përmbahemi vizionit të tyre për atdheun
Në Ditën e Dëshmorëve të Prishtinës, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të hënën ka përkujtuar të gjithë ata që ranë për lirinë e vendit.
“Dëshmorët e UÇK-së me stoicizmin e tyre e bën të mundshme lirinë tonë. Do t`i kujtojmë përherë dhe do të përpiqemi që t`i përmbahemi vizionit të tyre për atdheun, për të cilin u flijuan. Përveç dëshmorëve të Betejës së Marecit, kujtojmë edhe civilët ë rënë, të cilët janë dëshmi e veprimeve barbare të pushtetit gjenocidal të Serbisë kundrejt popullsisë së pafajshme”, ka theksuar Osmani.
Edhe
Haxhiu e Kurti bëjnë homazhe në Prekaz, vlerësojnë lart sakrificën e Jasharëve
Të njëjtën ditë, 23 vjet më parë, në Ribar të Vogël të Lipjanit, forcat serbe vranë dhe u masakruan civilë, në mesin e të cilëve edhe ata nga Vërsheci, të cilët kanë shkuar për t’u strehuar. Njësoj bënë edhe në Dyz të Podujevës, ku regjimi gjenocidal serb në fokus pati civilët.
“Kujtimi për dëshmorët e civilët na obligon që të angazhohemi çdo ditë për ta vendosur drejtësinë, që çdo herë ta mbrojmë të vërtetën dhe që lirinë ta ruajmë me çdo kusht, sepse është fituar me mund”, ka thënë Osmani në kujtim të të gjithë të rënëve.