Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të martën është takuar me presidentin e Republikës Demokratike të Timorit Lindor, Jose Ramos Horta, të cilin e falënderoi për mbështetjen ndaj Kosovës.
Kurti e Horta u takuan në kuadër të Forumit Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës. Përveç Hortas, Kurti u takua edhe me ministren për Punë të Jashtme dhe Bashkëpunim të Timorit Lindor, Adaljiza Magno.
Në takim, sipas njoftimit të Kryeministrisë, u theksua marrëdhënia unike ndërmjet Kosovës dhe Timorit Lindor si dhe historia e ngjashme e sundimit të huaj në të dy shtetet.
“Kryeministri Kurti e falënderoi Presidentin Ramos Horta për mbështetjen e dhënë Republikës së Kosovës. U potencua nënshkrimi i marrëveshjes për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, nënshkruar më 9 mars 2022 mes Republikës së Kosovës dhe Republikës Demokratike të Timorit Lindor. Me këtë nënshkrim, u tha se distanca ndërmjet dy vendeve është shkurtuar dhe është hapur rruga e bashkëpunimit”, thuhet në njoftim.
Në takim u tha se si dy nga shtetet më të reja në botë, që ndajnë të njëjtat vlera të lirisë dhe demokracisë, Kosova dhe Timori Lindor duhet të bashkëpunojnë më ngushtë në shkëmbimin e përvojave të shtetndërtimit dhe njohjes ndërkombëtare.
Timori Lindor është një komb i Azisë Juglindore, i cili u pavarësua nga Portugalia më 1975 e më pas nga Indonesia më 2002.
Timori Lindor e ka njohur Pavarësinë e Kosovës më 2012.