Dy poste shtetërore janë duke i mbajtur aktualisht shumica e anëtarëve të kabinetit qeveritar, por se për pagë ata kanë zgjedhur që t’i marrin ato të ekzekutivit. Dallimi i pagave në këtë dy institucione është i vogël
Megjithëse në prill dha dorëheqje nga posti i udhëheqësit të ekzekutivit dhe e bëri betimin si deputet, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zgjodhi që për pagë ta marrë atë që i përket si drejtues i Qeverisë.
Ai nuk figuron në listën e pagave të deputetëve të rinj, që KOHA e siguroi nëpërmjet qasjes në dokumente publike.
Si kryeministër, rroga bazë e Kurtit është 1 mijë e 925 euro, teksa paga e një deputeti është 1 mijë e 859, pa përfshirë shtesën e paraparë të përvojës për dy pozitat.
Në Qeveri, prej mbi dy javësh nuk i janë përgjigjur kërkesës së KOHËS për ofrimin e të dhënave mbi pagesën që ka pranuar kryeministri në detyrë, që nga muaji shkurt.
E pagën më të lartë, sikurse Kurti, zgjodhën ta marrin edhe dy zëvendësit e tij - Donika Gërvalla e Emilja Rexhepi, që po ashtu janë zgjedhur deputete.
Bazuar në Ligjin për Paga, rroga bazë e zëvendëskryeministrit është 1 mijë e 870 euro.
Të dhënat e siguruara nga Kuvendi treguan se njëjtë kanë vepruar edhe 14 anëtarë të tjerë të kabinetit qeverisës, që zënë ulëse në Kuvend pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në Qeveri, veprimin e Kurtit dhe të vartësve të tij e arsyetuan me praktikën e ndjekur prej më herët.
“Në linjë me praktikat e mëparshme për situatën e njëjtë, anëtarët e kabinetit të Qeverisë në detyrë e që kanë fituar mandatin e deputetit, marrin vetëm njërën pagë si anëtar të kabinetit qeverisës deri në zgjedhjen e qeverisë së re”, kanë treguar përfaqësues të Qeverisë në detyrë.
Rrogën e zëvendësministres së Punëve të Jashtme e zgjodhi edhe Liza Gashi, ani se ajo e paraparë si deputete është më e lartë. Ajo në maj mori 1 mijë e 683 euro pagë bazë, 176 euro më pak sesa që do të merrte si ligjvënëse.
Ndryshe veproi bashkëpartiaku i saj, Valon Hoti.
Ai si deputet do të paguhet 616 euro më shumë sesa që ka marrë si shef i stafit në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Qasje në listat e pagave për periudhën shkurt-maj, KOHA kërkoi nga të gjitha ministritë, porse nga 15, përgjigje mori nga 7 syresh.
Në bazë të të dhënave të ofruara, rroga bruto e një ministri për një muaj arrin deri në 2 mijë e 50 euro, pa përfshirë përfitimet e tjera.