Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kurti: BE-ja është fati dhe qëllimi i Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se më shumë se 6 vjet Kosova po e realizon Marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe sipas tij deri tani është realizuar kjo marrëveshje 50 për qind.

Ai ka thënë se me këtë aplikim zyrtar në Bashkimin Evropian synojnë që ta përshpejtojnë rrugëtimin evropian drejt familjes evropiani.

Kurti ka thënë Bashkimi Evropian është fati dhe qëllimi i Kosovës.

“Shtetet e Bashkimit Evropian kanë përjetuar periudha të ndryshme kohore prej aplikimit në anëtarësim. Mesatarja është nëntë vjet. Ne synojmë që ta kemi këtë mesatare për anëtarësim. Ne presim që Këshilli Evropian të kërkojë opinionin nga Komisioni Evropian, e pastaj të hyjmë në fazën tjetër kur Komisioni Evropian do duhej t’ia sjellë pyetësorin”, ka thënë ai.

Kurti ka thënë se kjo është ditë e madhe dhe historike për demokracinë e Evropës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur edhe nëse do të jetë pengesë në rrugën evropiane të Kosovës mosnjohja e pesë shteteve anëtare.

Kurti ka thënë se nuk e sheh këtë si pengesë dhe se është i bindur se me kalimin e kohës do ta njohin Kosovën edhe këto shtete.

“Jam i bindur se mosnjohja nga pesë shtetet e BE-së nuk do të na pengojë në rrugëtimin e mëtutjeshëm të integrimit evropian. Për anëtarësim në BE na duhen këto njohje, besoj se e kemi kohën e mjaftueshme për të siguruar ato e duhet ta bëjmë këtë sa më parë. BE-ja nuk është i njëjti pas pushtimit rus të Ukrainës. Të gjitha shtetet anëtare e kuptojnë që në një situatë të re është e nevojshme të kemi anëtarësim e integrim të përshpejtuar. Kjo u tha në fakt para më pak se dy javëve në Samitin e BE-Ballkan Perëndimor në Tiranë. U bë thirrje për anëtarësim e integrim përshpejtuar”, tha Kurti. Ai tha se beson se do të ndryshohet qëndrimi i këtyre pesë shteteve mosnjohëse.

Artikuj të ngjashëm