Kryeministri Albin Kurti tha se në fillim të javës së ardhshme do t’i kthejë përgjigje Bashkimit Evropian në ftesën për takim në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq. Ai bëri të ditur se takimi është propozuar që të mbahet më 22 apo 23 qershor. E ka kritikuar edhe draftpropozimin e BE-së për sekuencimin e zbatimit të marrëveshjeve, duke e kualifikuar si të pabalancuar
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ende nuk ka vendosur nëse do të shkojë në Bruksel për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të ftuar nga përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.
Ftesat për takim, Borrelli ua ka përcjellë palëve, pas kidnapimit të të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga forcat speciale të Serbisë, në veri të vendit.
Kurti ka bërë të ditur të shtunën se 22 dhe 23 qershori janë përmendur si data të mundshme për mbajtjen e tij, teksa ka shtuar se përgjigjen për ftesën do ta ofrojë në fillim të javës së ardhshme.
“Unë pata kërkuar që takimi të jetë në javën që po shkon në Bruksel me urgjencë dhe kam propozuar planin pesëpikësh. Mirëpo tash kemi një kërkesë që takimi të jetë në javën e ardhshme, njëherë u tha data 22 pastaj u tha data 23 pastaj sërish data 22, unë do ta diskutoj me ekipin tim dhe me siguri që do të japim një përgjigje në fillim të javës së ardhshme”, ka thënë Kurti.
E para ftesës për takim, përfaqësuesi i lartë i BE-së i ka dhënë përgjigje planit pesëpikësh të Kurtit për shtensionimin e situatës në veri. Krahas përsëritjes së kërkesave të BE-së për shtensionim, ai ka theksuar se priten përgjigjet e palëve për draftpropozimin e ri të emisarit për dialog, Miroslav Lajçak, rreth “planit të sekuencimit” për zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
I pyetur se çfarë përmban ky draftpropozim i BE-së dhe nëse është i pranueshëm për Kosovën, kryeministri Kurti ka theksuar se nuk është i balancuar.
“Pra, jemi të përkushtuar, jemi konstruktivë, mirëpo nuk mundet që çfarëdo sekuencimi të ketë më shumë se gjysmën dedikuar neneve 7 dhe 10. Unë e kuptoj që nenet 7 dhe 10 janë nene të marrëveshjes bazike dhe unë jam i interesuar që t’i përfshijë patjetër në sekuencim, por dedikimi atyre nuk mund të jetë me aso prioriteti dhe përmase”, ka thënë Kurti.
Tensionimi i fundit i situatës në veri ka nxitur mosmarrëveshje mes Kosovës dhe faktorit ndërkombëtar. Por presidentja Vjosa Osmani, sipas raportimit të Deutsche Welles, ka shprehur optimizmin se këto mosmarrëveshje me BE-në dhe me Shtetet e Bashkuara do të tejkalohen.
“Nuk mendoj se mosmarrëveshjet mund të anashkalohen duke sulmuar njëri-tjetrin në media, por nëse ulemi dhe flasim. Mendoj se një nga arsyet kryesore pse i kemi këto tensione gjatë gjithë kohës është edhe për shkak të zhgënjimit se si po shkon dialogu. Ka pasur shkelje të vazhdueshme në këto dy muajt e fundit, që nga 18 marsi, kur u bë marrëveshja, por asnjëherë deri më tani nuk kemi dëgjuar një lloj deklarate nga Bashkimi Evropian duke thënë, po, kjo është një shkelje e marrëveshjeve. Mendoj se kjo po e inkurajon Serbinë që të mos kujdeset për procesin dhe po e dëmton besueshmërinë e procesit të dialogut”, ka thënë ajo.
E kryeministri Kurti të shtunën nuk i është përgjigjur pyetjes nëse e ndan të njëjtin qëndrim me Osmanin.
Ai dhe presidenti serb për herë të fundit janë takuar në Bruksel më 2 maj, kur është arritur pajtimi rreth Deklaratës për të pagjeturit, por jo edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.