Anëtari i VV-së në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi, ka fajësuar Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe disa media duke i quajtur “aleancë të grupeve kriminale”. Derisa i ka përmendur disa media në Kosovë, Kurteshi i ka quajtur edhe “vrasës me pagesë”.
Reagimi i Kurteshit vjen pas sjelljes së tij në KQZ ndaj gazetarëve që ishin të pranishëm duke u kërkuar disa herë me tone të larta që të largoheshin në këndin e mediave.
“Një qenie a grup qeniesh që shpif e gënjen hapur, që lutjen e qartë e të zëshme në gjuhën shqipe, për ndalimin e mësymjes fizike të të ashtuquajturve gazetarë, kamerambajtës në hapësirën e caktuar për mbledhje të KQZ, ose është idiot në kuptimin e plotë të fjalës, ose-ose, mendje e çakorduar kriminale prej vrasësi me pagesë, kur e quan „cenim fizik të gazetarëve“ dhe „pengim fizik të gazetarëve“, dhe si sjellje“recidivist në sulmet ndaj gazetarëve“. Pikërisht ky reagim, dëshmon pa dyshim për veprime të motivuara e të dirigjuara të „gazetarë/eve“ e „kameramanëve“ të shashtrisur prej kërcënimeve, shantazheve, yshtjeve, keqtrajtimeve nga bosat dhe bosat e bosave të tyre, që janë dëshmuar si vrasës me pagesë të dinjitetit të njeriut”, ka shkruar Kurteshi në Facebook.

Ndaj gjuhës së Kurteshit ka reaguar sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i cili i ka bërë thirrje kryeministrit në detyrë që të marrë masa. Gutierrez i ka kërkuar Albin Kurtit që ta ndalojë një gjuhë të tillë nga partia e tij, teksa ka theksuar se është përgjegjësi e tij “t’i japë fund praktikave të tilla mafioze”.
“Z. Kurti , duke toleruar shpërthime të tilla, ju minoni gazetarët, kredibilitetin e tyre dhe shtetin tuaj duke lejuar që partia juaj, VV, të denigrojë këdo që guxon t’ju mbajë përgjegjës ju dhe politikbërës të tjerë. Turp për partinë tuaj. Ju kërkoj t’i jepni fund këtij kërcënimi para se të jetë vonë”, ka shkruar ai.