Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kundërshtohet zgjerimi i rrugës në qendër të Gjilanit

Komuna e Gjilanit po e sfidon projektin rrugor të MI-së për rrugën që duhet të zgjerohet.

Administrata refuzon që punimet për ndërtimin e rrugës me katër korsi të përfundojnë në qendër të qytetit siç është paraparë me projektin e nivelit qendror, duke kërkuar që punimet për zgjerimin e rrugës të përfundojnë tek lokacioni i stacionit të autobusëve.

Autoritetet vlerësojnë se zgjerimi i rrugës deri në qendër të qytetit nuk është i favorshëm për pushtetin lokal dhe as për qytetarët, ngase nga zgjerimi preket edhe një pjesë e parkut të qytetit.

Naser Korça, drejtor i Shërbimeve Publike i Gjilanit, deklaron se kanë bërë kërkesë në Ministri të Infrastrukturës për revidimin e projektit, ngase kanë arritur të nxjerrin një konkluzion se nuk ka nevojë për zgjerim të rrugës deri te qendra e qytetit. Ai thotë se do të mundohen që të gjenden zgjidhje të tjera për shkarkimin e komunikacionit nga automjetet.

“Zgjerimi i rrugës siç është paraparë vlerësohet se është i dëmshëm për komunën dhe për qytetarët të cilët jetojnë përreth asaj rruge. Kemi nxjerrë vlerësime të tilla dhe më të vërtetë jemi të bindur se nuk duhet të zgjerohet rruga, por duhet të gjenden alternativa të tjera dhe të rregullohen rrugët qarkore. Ne besojmë se do të bëhet revidimi i projekti, ngase edhe me plan urbanistik nuk është i paraparë zgjerimi i rrugës”, ka thënë ai (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).