Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ku gaboi Albrighti në Kosovë, sipas McDonaghit

Ish-Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, ka zgjedhur palën e gabuar politike në Kosovë, ka thënë gazetarja irlandeze Melanie McDonagh në një opinion të publikuar në “The Spectator” të shtunën...

Joçuditërisht, Kosova është vendi ku Madeleine Albright kujtohet me mirënjohje të veçantë. Përse? Sepse pa Albrightin, ndoshta s’do të kishte Kosovë të pavarur. Ishte ajo që mbrojti bombardimet e Serbisë që i dhanë fund spastrimit etnik ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe që çoi në pavarësinë e vendit. I lënë i vetëm, Bill Clintoni s’do ta bënte këtë. Albrighti kishte njohuri për rajonin – fliste mrekullueshëm gjuhën serbe dhe kishte antipati të thellë ndaj Sllobodan Millosheviqit. Dhe s’kishte frikë. Me këtë përshkrim ka nisur një opinion gazetarja irlandeze që vepron në Londër, Melanie McDonagh, duke ia njohur këtë veprim si të duhur për çështjen e Kosovës. Por, sipas McDonaghit, Albrighti e cila vdiq të mërkurën, ka bërë një gabim te shqiptarët e Kosovës.

“Ajo përkrahu krahun e gabuar te pala shqiptare. Dhe pasojat e këtij gabimi ishin shkatërruese”, ka thënë McDonagh, në një shkrim në revistën britanike “The Spectator”. Sipas autores, gabimi i Albrightit ishte që nuk i doli në mbështetje Ibrahim Rugovës, por Hashim Thaçit.

“Ajo ka mundur të vinte mbështetjen e saj dhe të Qeverisë amerikane, për njeriun që e përfaqësoi Kosovën gjatë viteve të Millosheviqit, akademikut të mirë, duhanpirësit, Ibrahim Rugova. Ai kishte bërë fushatë për pavarësi me mjete paqësore ndër vitet e vështira nën Millosheviqin, kur Kosova s’ishte në radarin ndërkombëtar. Kjo ia solli edhe krahasimin me Gandhin nga gazetarët e huaj dhe grupet paqësore suedeze, por që s’arriti të jepte rezultate. Në vend të kësaj, ajo vendosi të ndiqte alternativën, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, dhe liderin e saj të atëhershëm, të riun Hashim Thaçi. Në të vërtetë, pasi serbët u larguan nga Kosova dhe u zëvendësuan nga NATO-ja, Rugova u detyrua të largohej nga Kosova për shkak të frikës për jetën e tij: U strehua në Vatikan. Rezultati i gjithë kësaj ishte se kur bëhej fjalë për krijimin e Qeverisë së parë të përkohshme shqiptare, pushteti efektiv ishte nga PDK-ja, krahu politik i UÇK-së”, ka shkruar ajo duke shpërndarë një raportim të vitit 1999 të “The Irish Times” në të cilin shkruhej për marrëveshjen e UÇK-së dhe Rugovës për formimin e qeverisë së përbashkët, nën mbështetjen e Albrightit.

Edhe pse thotë se ishte shumë kohë më parë, sipas McDonaghit, kjo ende ka rëndësi.

“Për gjashtë muaj gjatë së cilëve ish-UÇK-ja mbajti pushtetin në Kosovë, menjëherë pas tërheqjes së Serbisë, shumë serbë të Kosovës dhe shqiptarë disidentë u vranë ose u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe pronat e tyre u morën nga banditët e lidhur me UÇK-në. Kultura e gangsterizmit që pllakosi Kosovën për 20 vjetët e ardhshëm u krijua gjatë kohës së kthimit të Rugovës – ai ishte president e jo kryeministër – dhe kurrë nuk u çlirua nga kjo. Mund të mos jetë e vërtetë, por njëherë Rugova më pati thënë se Kosova mund të jetë një shtet i vogël i mirë, një Zvicër e Ballkanit, por mund të ishte më mirë se ajo që ka dalë të jetë, po të kishte udhëheqjen e denjë në fillim. Dhe për këtë, kam frikë se Madeleine Albrighti pati një pjesë të përgjegjësisë”, ka thënë McDonagh.

Albright vdiq të mërkurën në moshën 84-vjeçare. E premtja në Kosovë ishte ditë zie në nderim të saj.

Artikuj të ngjashëm