Ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright, ka qenë personi që më së shumti ka ndikuar për të ardhur deri te ndërhyrja e NATO-s mbi caqet serbe, ka deklaruar të enjten korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj.
Palokaj ka thënë në “60 Minuta” të KTV-së, se ishte Albrighti ajo që në takimin e Grupit të Kontaktit në Londër, kishte deklaruar se nuk guxon të bëhet gabimi si me Çekosllovakinë, e cila përmes konferencës së Munihut i ishte lënë në dorë Hitlerit atë kohë.
Kjo deklaratë e saj, sipas Palokajt, ka ndikuar që shtetet tjera të ndryshojnë qëndrim sa i përket ndërhyrjes në Kosovë.
“Kujtimi i parë për Albrightin ishte takimi i Grupit të Kontaktit në Londër. Ajo kishte thënë se nuk guxojmë ta bëjmë gabimin e Munihut kur Çekosllovakia ishte lënë në duar të Hitlerit. Albright pa dyshim ka qenë personi që më së shumti e ka shtyrë ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë dhe dënimin e kryerësve të krimeve në Kosovë. Ajo ka luajtur rolin kryesor edhe në administratën amerikane”, ka thënë Palokaj.
Sipas Palokajt, nuk duhet harruar që NATO-ja kishte ndërhyrë në Kosovë 23 vjet më parë për ta ndaluar gjenocidin në Kosovë dhe se kjo ishte bërë pasi ishin shterur të gjitha mjetet për një zgjidhje paqësore.
Edhe
Kosova, lufta e Madeleine Albrightit
Palokaj ka folur edhe për Samitin e NATO-s që u mbajt të enjten në Bruksel, duke thënë se ishte një rast për ta rikujtuar përkushtimin amerikan dhe të NATO-s për të garantuar sigurinë për secilin vend anëtar.
Ndërkohë, teksa ka folur për rrezikun e përdorimit të armëve kimike, biologjike apo edhe nukleare nga ana e Rusisë, Palokaj ka thënë se në samitin e NATO-s u bë e ditur se kjo aleancë ka aktivizuar sistemin e mbrojtjes kundër armëve të tilla.