Më shumë se 1 milion e 800 mijë votues në Maqedoni patën mundësinë që gjatë së dielës të vendosin për fatin e vendit. Duke votuar për në referendumin për ndryshimin e emrit, ata përcaktoheshin për integrimet euroatlantike të vendit.
Ndonëse sondazhet e deritanishme nuk nxirrnin dot fitues asnjërin kamp të referendumit shqiptarët mund të jenë forca vendimtare nëse referendumi kalon.
Duke dalë në votim dukshëm më shumë se bashkëqytetarët maqedonas, shqiptarët thanë se kanë shpresë që me ndryshimin e emrit e integrime euro-atlantike vendi do të përparojë e pozita e tyre do të ndryshojë, raporton KTV.
Për ata maqedonas që e bojkotuan referendumin, disa patën kritika.
“Jam e sigurt se nëse referendumi kalon, situata në Maqedoni do të përmirësohet 1 mijë herë më mirë. Për ata që e kanë bojkotuar referendumin them se kanë bërë gabimin më të madh në jetë, meqë është koha që ky vend të ecë përpara, sepse mjaft kemi stagnuar”, ka thënë një qytetare maqedonase.
Edhe
Në mungesë të epilogut për emrin, Maqedonia rrezikon ndarjen
Se dalja e shqiptarëve në këto zgjedhje ishte më e madhe, e dëshmojnë edhe menaxherët e dy qendrave të votimit kryesisht me votues shqiptarë. Menaxheri i qendrës së votimit shkolla fillore ‘Liria’ tha se nga 600 maqedonas sa ishin të regjistruar në këtë qendër, vetëm 6 kanë votuar.
Pyetja në referendum ishte mjaft joshëse për votuesit, duke mos e përmendur fare emrin e ri të Maqedonisë, derisa qytetarët thjesht u pyetën nëse përkrahin emrin e ri të vendit dhe marrëveshjes mes Republikës së Maqedonisë e Greqisë.
Ndonëse kryeministri i vendit Zoran Zaev, kishte thënë se në rast se referendumi dështon, çka do të ndodhte nëse më pak se 51 për qind e qytetarëve votojnë për të, procedurat parlamentare për ndryshimet kushtetuese, megjithatë do të vazhdojnë.
Megjithatë, derisa hodhi votën e tij në Strumnicë, në vendvotimin 1730, Zaevi tha se beson që referendumi do të kalojë.
“Besoj se referendumi do të kalojë, ngase më shumë se 80 për qind e qytetarëve tanë janë për integrime euroatlantike. Uroj që deputetët të ndjekin më pas dëshirën e qytetarëve”.
Por, për dallim nga ai presidenti i vendit, George Ivanov, kaherë ishte deklaruar se e kundërshton emrin e ri. Ai, sikurse shumë maqedonas, e ka bojkotuar referendumin, por ka thënë se nëse kalon dhe miratohet në Parlament, ai megjithatë do ta votojë.
Edhe
Qytetarët e Maqedonisë me mendime të ndryshme për referendumin
Maqedonia e Greqia pas plot 27 vjetësh ia dolën që të arrijnë marrëveshje për emrin e Maqedonisë, duke u pajtuar se ish-Republika Jugosllave tash e tutje, të quhet Republika Veriore e Maqedonisë.
Vendvotimet janë mbyllur në orën 19:00 derisa rezultatet e para preliminare priten rreth orës 19.30.