Ndonëse nuk arriti të marrë 51 përqind të votave të qytetarëve, referendumi për emrin e Maqedonisë po shihet i suksesshëm për faktin se nga 36.79 përqind sa votuan, 91.37 përqind votuan në favor të ndryshimit të emrit.
Tash i mbetet Kuvendit të vendosë nëse do të miratojë rezultatin e referendumit për emrin. E për këtë nevojiten 2/3 e votave në Kuvend.
Zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë, Muamet Hoxha është shprehur optimist se edhe deputetët e opozitës do t’i përgjigjen pozitivisht propozim-vendimit për ndryshim të Kushtetutës së Republikës të Maqedonisë, të cilat kjo e fundit qysh të hënën i ka nisur për miratim Parlamentit.
Ai ka thënë për KosovaPress se presin që krejt kjo të finalizohet me hapje të dyerve të NATO-s dhe BE-së për Republikën e Maqedonisë.
“Për shkak se është e nevojshme 2/3 e votave në Kuvend, presim se deputetët e opozitës do të respektojnë vullnetin e qytetarëve dhe do të japin mbështetje për këto ndryshime kushtetuese me të cilat, siç theksova, tërësisht hapet rruga për anëtarësimin e plot në NATO dhe fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Të gjitha hulumtimet e deritanishme tregojnë se numër i konsiderueshëm I qytetarëve të Maqedonisë: maqedonas, shqiptarë dhe pjesëtarët e bashkësive tjera etnike që jetojnë në Republikën e Maqedonisë janë për integrimin e vendit në NATO dhe në BE dhe se alternativë tjetër nuk ka”, ka thënë Hoxha.
Edhe
Shkupi reagon ndaj Moskës për çështjen e emrit të Maqedonisë
Sipas tij, shqiptarët dhe të gjitha partitë politike shqiptare në Maqedoni janë promotor të përhershëm të realizimit të qëllimit strategjik për integrimin e tërësishëm të Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.
E në rast se një gjë e tillë nuk nodhë, analistë të sigurisë paralajmërojnë për një mori rreziqesh që i kanosen shtetit të Maqedonisë në rast të mosmiratimit të rezultateve të referendumit nga Kuvendi.
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi në një prononcim për KosovaPress ka treguar konkretisht për rreziqet me të cilat përballet Republika e Maqedonisë në rast se nuk miratohen rezultatet e referendumit të 30 shtatorit.
"Ata duhet të vetdijësohen, edhe Maqedonia nëse dojnë ta kenë shtetin e vet maqedon, të kenë mbështetjen e NATO-s, përndryshe do të vijë në rrezik nga një copëtim i shtetit të tyre. Do të thotë ata nuk e besojnë këtë rrezik rreth ndarjes të saj në pjesë, edhe në aspektet etnike por edhe aspekte tjera të pretendimeve të shteteve që kufizohen me Maqedoninë”, ka thënë ai.
Për çështjen e emrit të Maqedonisë ka folur për KosovaPress edhe profesori universitar Bashkim Selmani, i cili ka thënë se pret që deputetë të VNMRO-s, të vendosin në mënyrë të pavarur dhe jo me qëndrime politike. Ndryshe thotë se vendi do të kaplohet nga pasiguria.
Ai ka folur edhe për paralajmërimin e kryeministrit maqedonas Zoran Zaev, i cili ditë më parë ka deklaruar se nëse nuk respektohet vendimi i qytetarëve, Maqedonia do të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“Edhe sikur të kalojnë zgjedhjet, do të ketë vështirësi nga ana e rolit dhe funksionit të presidentit të shtetit, i cili është një president i papërgjegjshëm, është një nacionalist i pabazuar në fakte dhe argumente dhe i njëjti mund të mos i jap mandatin Qeverisë apo Kuvendit, gjë që do ta fuste në amulli pjesën e funksionimit të shtetit dhe do të rrezikojë edhe sigurinë në aspektin juridik dhe politik dhe kjo ëshët faza e cila do të jetë më e rrezikshme...”, tha ai.
Sipas tij, çështja mund të shkojë aq larg sa venditë vihet nën administrimin e një UNMIK-u të ri. Krejt kjo sipas Selmanit, pasi që ka gjasa në hapje të konfliktit shqiptaro-maqedonas, të nxitur edhe nga vendet fqinje.
Edhe
Sigurohen votat e deputetëve për të ndryshuar Kushtetutën e Maqedonisë
“Nëse analizohet mënyra juridike dhe nëse nuk do të marrë epilog përfundimtar çështja e Republikës të Maqedonisë, atëherë do të futet në një fazë të re... e cila mund të jetë një amulli shumë e rrezikshme për territorin brenda Republikës të Maqedonisë, e cila mund të rezultojë me një ndërhyrje nga NATO, sepse do të jetë e detyruar NATO të ndërhyjë, siç ndërhyri në Kosovë, sepse pritet trazira të mëdha të ndodhin. Në këtë rast, NATO do të ngërthejë territorin e Republikës të Maqedonisë, që mund të jetë nën administrimin e një UNMIKU të ri, dhe pjesën e shqiptarëve ta administrojë NATO dhe pjesën tjetër ta administrojë Bullgaria”, u shpreh Selmani.
Ndryshe, më 30 shtator Maqedonia votoi në referendum për Marrëveshjen me Greqinë për çështjen e emrit, ku nga 36.79 përqind sa votuan, 91.37 përqind votuan në favor të ndryshimit të emrit. Ndërsa tash pritet që fjalën e fundit ta ketë Kuvendi i Republikës të Maqedonisë, në të kundërtën vendi shkon në zgjedhje.