Arbëri

Kënga për Kurtin, Fetoshi: Jonormale t'i këndohet dikujt për pushkë kur s'e ka prekë pushkën

Diellza Fetoshi

Diellza Fetoshi, kandidate për deputete nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka komentuar këngën e Edona Llalloshit për Albin Kurti.

Ajo ka thënë se është jonormale t’i këndohet “dikujt për pushkë, kur s’e ka prekur pushkën”. 

“T’i këndohet dikujt për pushkë, dikujt që nuk e ka prekur pushkën, është jonormale. Për Oso Kukën është normale se dihet që është hero e ka luftuar. Por Albini s’ka luftuar. S’e ka kapur kurrë pushkën me dorë. Sikur të më thuash mua që kam qenë fëmijë në luftë, Diellza me dy pushka... nuk po përputhet. Ti mund të thuash që është i mençur e program të mirë, por jo e ka kapur pushkën”, ka thënë ajo në “Konfront” të KTV-së.


Sadiku: Kënga për Kurtin - ok, ama deklarata e Konjufcës njëfar 'seksi oral'

Analisti politik Arbnor Sadiku ka thënë se kënga e Edona Llaloshit për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, është më e pranueshme se lëvdatat që Glauk Konjufca ia ka bërë Kurtit në një tubim politik.

Sipas tij, glorifikimi për Kurtin ka qenë i tepërt.

“Për mua s’ka paraqitur problem kënga sepse e njohim edhe Llaloshin si këngëtare të mirë, por jo si njohëse e mirë e rrethanave politike. Nuk kam pasur shumë problem me këtë, por me Glaukun kur e prezanton në një tubim politik dhe thotë ‘më i miri ndër ne është ky’. Le të themi në thonjëza siç thotë në një prej librave të tij, publicisti Veton Surroi, pra është njëfarë lloj ‘seksi oral’ ndaj liderit. Për mua kjo është problematike”, ka thënë Sadiku.


Sefaj: Kurtit duhet t'i këndohet, pasi i ka vra krejt kauzat

Analisti Ali Sefaj ka komentuar këngën që iu kushtua kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, nga bashkëpartiakja e tij, Edona Llalloshi, gjatë një tubimi në Zvicër. Ai ka thënë se ajo ishte pjesë e një përpjekjeje për ndërtimin e një narracioni artificial për figurën e tij.

Sefaj ka shtuar se Vetëvendosja po përpiqet ta paraqesë Kurtin si figurë heroike meqë nuk ka rezultate konkrete nga mandati i tij për të cilin mund të flasë.

“Dëshirojnë ta ndërtojnë një narracion që ju mungon dhe kur pushtetit nuk ka me çka të vihet në pah për mandatin 4-vjeçar, i duhet ta veshë këtë petkun e romantizmit dhe ta promovojë si figurë të rëndësishme. Albin Kurtit duhet t’i këndohet kënga sepse Kurti është i vetmi politikan në Kosovë që i ka vra krejt kauzat me të cilat ka ardhur në pushtet”, u shpreh Sefaj.


Kryeziu: AAK-ja do t'i bëjë institucionet parashkollore publike pa pagesë

Veli Kryeziu

Veli Kryeziu, kandidat për deputet nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ka premtuar se nëse kjo parti fiton, institucionet parashkollore publike do të bëhen pa pagesë.

“Në mandatin e ardhshëm të Qeverisë Haradinaj, shpenzimet e fëmijëve për institucione parashkollore do të barten nga qeveria dhe nënave jo t’u jepen nga 30 euro, e t’u merren nga 70 në dyert e çerdheve. Pra falas”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.

Ai po ashtu ka thënë se për institucionet parashkollore duhet të ketë çmim tavan të caktuar nga shteti.


Kryeziu: Si AAK synojmë të dalim fitues dhe Haradinaj të jetë kryeministër

Veli Kryeziu, kandidat për deputet nga AAK, ka thënë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës synon të dalë fituese.

Ai ka shtuar se qëllimi i AAK-së është përmirësimi i jetës së të rinjve në Kosovë.

“Ne synojmë që në zgjedhjet e 28 dhjetorit të jemi parti fituese dhe mandatari jonë, Ramush Haradinaj, të qeverisë me qeverinë e Kosovës. Kur i shoh vështirësitë mendoj se mund t’ua përmirësojmë jetën të rinjve dhe t’ia bëjmë Kosovën vend të sigurt përmes anëtarësimit në NATO, reformimit të sistemit arsimor dhe lirive e të drejtave të njeriut”, ka thënë ai në Konfront.