Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Kryeziu: PDK-ja duhet të hyjë në qeveri me VV-në

Kadri Kryeziu

Profesori Kadri Kryeziu vlerëson se zgjidhja më e mirë për formimin e institucioneve të reja do të ishte një koalicion ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Demokratike të Kosovës, duke argumentuar se një bashkëpunim i tillë do të siguronte stabilitet politik dhe votat e nevojshme për zgjedhjen e presidentit.

Sipas tij, zgjedhjet e fundit nuk ka qenë e nevojshme të mbaheshin, pasi vendi kishte Kuvend dhe Qeveri funksionale.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Kemi pasur Kuvend e Qeveri. Presidenti është çështje uniteti mes partive dhe nuk ka ndonjë rol të madh politik. Ka qenë veprim jo i duhur që për shkak të presidentit të shkohej në rrëzimin e institucioneve”, ka thënë Kryeziu në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka theksuar se rezultati i zgjedhjeve të 7 qershorit, ku Vetëvendosje ka siguruar rreth 43 për qind të votave, e bën të domosdoshëm arritjen e një konsensusi më të gjerë politik, veçanërisht për zgjedhjen e presidentit të ardhshëm.

Kryeziu ka vlerësuar se me këto rezultate Vetëvendosje duhet të ketë në qeveri edhe një parti shqiptare, duke përmendur si opsione PDK-në ose LDK-në.

“PDK-ja për mua kishte me qenë më mirë, sepse kanë votat e mjaftueshme edhe për marrëveshjet ndërkombëtare, edhe për presidentin”, është shprehur ai.

Ai ka paralajmëruar se mungesa e dialogut ndërmjet partive mund ta çojë vendin sërish drejt zgjedhjeve të reja, një skenar që, sipas tij, duhet të shmanget.

“S’kam hiç dëshirë që të riciklohet situata dhe të shkohet prapë në zgjedhje, por kjo mund të ndodhë nëse partitë nuk ulen të flasin në mënyrë normale”, ka deklaruar Kryeziu.

Ai ka bërë të ditur se fillimisht tani do të konstituohet Kuvendi, më pas do t’i jepet të parit mandatari për formimin e Qeverisë nga ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu, e pastaj zgjedhja e presidentit.

Sipas rezultateve preliminare, pa numëruar votat e diasporës dhe ato me kusht, LVV-ja do të ketë 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20 e AAK-ja 8.