15:25 - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka uruar besimtarët katolikë për festën e Pashkëve.
Postimi i Mustafës:
Urimet më të përzemërta për besimtarët e krishterë që sot kremtojnë Festën e Pashkëve. Paqja, dashuria dhe mirëqenia mbizotërofshin në familjet tuaja dhe në jetën tonë të përbashkët. Urimet më të përzemërta edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë.
Haradinaj feston Pashkët në familjen e shokut të ndjerë
11:02 - Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj sot për festë të Pashkëve po qëndron në shtëpinë e një miku që i vdiq para disa ditësh.
Haradinaj me anë të një postimi në Facebook ka treguar se përveç festës së Pashkës ndan gëzimin edhe me rastin e fejesës së djalit së mikut të tij.
Postimi i Haradinajt:
Kënaqësi të isha në shtëpinë e mikut të ndjerë, Gjon Berisha, dhe të ndajë me pasardhësit gëzimin e dyfishtë, të festës së Pashkëve dhe fejesës së djalit, Tomës. E bekuar qoftë familja shqiptare!
Kurti për Pashkët: Kjo festë sjelltë gëzim e fatbardhësi
10:49 - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka uruar të gjithë ata që sot festojnë festën e Pashkëve.
Thotë se kjo festë është simbol i ripërtëritjes dhe ka uruar gëzim e fatbardhësi.
“Të gjithë të krishterëve katolikë e protestantë që ndodhen në Kosovë dhe të gjithë shqiptarëve që e festojnë këtë festë, kudo që ata ndodhen, dëshiroj t’ua uroj ditën e Pashkës. Kjo festë, simbol i ripërtëritjes, sjelltë gëzim e fatbardhësi në jetët tuaja, me miq e familjarë. Për shumë mote!”, ka shkruar Kurti në një adresim në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Veseli uron Festën e Pashkëve
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka uruar të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Festës së Pashkëve.
“Uroj që kjo festë e shpresës, dashurisë e mirëkuptimit, t’ju gjejë mes njerëzve tuaj të dashur, me gëzime dhe shumë të mira për juve”, thuhet ndër të tjera në urimin që Veseli e ka publikuar në faqen e tij në Facebook.
Urimi i plotë:
Urime të përzemërta për të gjithë të krishterët me rastin e Festës së Pashkëve, e cila shënjon ditën e ngadhënjimit të jetës mbi vdekjen dhe rikthimin e njeriut të vlerave më sublime shpirtërore. Uroj që kjo festë e shpresës, dashurisë e mirëkuptimit, t’ju gjejë mes njerëzve tuaj të dashur, me gëzime dhe shumë të mira për juve. Gëzuar për shumë mot.