Kryetarët e komunave të drejtuara nga PDK-ja në veri pretendojnë se ndaj tyre është duke u aplikuar qasje diskriminuese si rezultat i mosbindjes ndaj ekzekutivit për të kryer punën nga objektet kryesore komunale. Kryetari i Zveçanit dhe ai i Zubin-Potokut takimet me nivelin qendror i kanë të pakta, e sipas tyre mirëkuptimin për kërkesa të ndryshme, tejet të vogël
Leposaviqi ishte ndalesa më e shpeshtë për vizita në veri nga ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, që nga muaji maj. Komunën që udhëhiqet nga Lulzim Hetemi i Vetëvendosjes, Krasniqi për aq sa e ka bërë publike, e ka vizituar 7 shtatë herë.
Pos Leposaviqit, prej komunave në veri më së shumti vizita ministri Krasniqi ka zhvilluar në Mitrovicën e Veriut, po ashtu e drejtuar prej partisë në pushtet.
Por shumë më të rralla i ka pasur takimet në Zveçan e Zubin-Potok, që udhëhiqen nga PDK-ja. Në këto komuna ishte nga një herë pas betimit të kryetarëve të rinj.
Kryetari i Zveçanit, Ilir Peci dhe ai i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, besojnë se mungesa e vizitave prej ekzekutivit lidhet me mosbindjen e tyre për të qëndruar në objektet kryesore komunale në veri.
“Ministri dhe kryeministri gjithmonë janë duke thirrur që të shkojmë në objektet, unë në objektin e komunës së Zveçanit, mirëpo unë gjithmonë kam thënë, kërkuar siguri për të gjithë drejtorët, për të gjithë stafin tim për të shkuar. Tash nuk e di çfarë të ju them, nëse shkojmë dhe KFOR-i aty, policia aty, diçka nuk po më doket shumë reale”, ka thënë kryetari i Zveçanit, Ilir Peci.
“Nuk është synimi im që të merret një objekt... Unë kam dëshirë edhe qetësia qytetare të jetë, edhe te ata kundërshtarët që mua më kundërshtojnë. Nuk kam qejf që të lëndohet kushdo qoftë prej qytetarëve apo nga organet e sigurisë, për shkak të lëvizjeve qoftë të mijat”, ka thënë kryetari i Zubin-Potokut, Izmir Zeqiri.
Derisa kryetari i Zveçanit ka thënë se me gjithë komunikimet që ka pasur me nivelin qendror, nuk ka hasur në mirëkuptim për kërkesat e bëra, ai i Zubin-Potokut bëri thirrje për unitet sa u përket komunave në veri.
Lidhur me vizitat në katër komunat veriore dhe bashkëpunimin që Ministria e Pushtetit Lokal ka me kryetarët, KOHA nuk ka marrë përgjigje nga ky dikaster që nga 14 nëntori.
Por në fillim të nëntorit, ministri Elbert Krasniqi pati shprehur dyshime për punën e dy kryetarëve në veri që vijnë nga PDK-ja
“Ne tashmë kemi dy kryetarë të cilët vazhdojnë aktivitetet e tyre ditore nga zyrat e kryetarit dhe dy të tjerë të cilët janë përcaktuar që të punojnë nga zyra alternative, dhe këtu unë kam dyshimet e mija edhe si ministër se ata mund të iu përgjigjën kërkesave të qytetareve”, pati thënë ministri Krasniqi më 8 nëntor.
Katër kryetarët në veri u zgjodhën në zgjedhjet e prillit të këtij viti, të bojkotuara nga serbët. Në tri prej katër komunave, para pak ditësh qytetarët serbë kanë marrë nisma për shkarkimin të kryetarëve.