Kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës nënshkruan të hënën memorandum mirëkuptimi për zhvillimin e një Plani Ndërkomunal për Menaxhimin e Integruar të Mbeturinave.
Për ta jetësuar dokumentin, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kërkoi ndihmë nga niveli qendror.
“Na duhet pra edhe përcaktimi dhe ndihma prej Ministrisë së infrastrukturës dhe përcaktimi i hapësirës për deponim të cilat janë të dizajnuara në mënyrë të mirëfilltë. Të cilat na mundësojnë që edhe në nivelin lokal pastaj të fillojmë iniciativa për ndarjen e mbeturinave se për momentin nuk ka sensibilitet që iniciativat që i kemi në planifikim me i fillu pa i krijuar kushtet në nivel qendror, pra të caktojmë deponitë”, tha Rama.
Zëvendësministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Linda Çavdarbasha tha se do të ofrohet mbështetje për komunat, por nuk saktësoi nëse do të realizohet kërkesa e Ramës.
“Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës është e përkushtuar që të mbështesë komunat e Republikës së Kosovës me krijimin e sistemit strategjik dhe të mirëfilltë për menaxhimin e mbeturinave, sistem ky që është në pajtueshmëri me strategjinë nacionale me kornizën ligjore dhe gjithashtu me direktivat e bashkimit Evropian”, tha Çavdarbasha.
Memorandumi mes komunave është mbështetur nga GIZ-i gjerman. Stefan Mager, menaxher i projektit në këtë organizatë, tha se kjo ngjarje shënon hapin e parë drejt realizimit të plotë të projektit.
“Këto hapa shënojnë fillimin e procesit të detajuar teknik dhe politik për krijimin e planit të menaxhimit të integruar të mbeturinave dhe gjithashtu angazhohen për zhvillim apo zotohen për zhvillim në të ardhmen”, tha Mager.
Krahas memorandumit të mirëkuptimit, kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës nënshkruan edhe Marrëveshjen për Bashkëpunim Ndërkomunal për punë të përbashkët në sektorin e menaxhimit të mbeturinave.
-
Kryetarët e komunave të rajonit të Prishtinës me marrëveshje për planin e integruar të mbeturinave
-
Komuna e Prishtinës arsyetohet se iu kërkua ndihmë nga “Pastrimi” pas kontratës me negocim
-
Rama synon të themelojë kompani të re për mbeturinat në Prishtinë, LVV-ja nuk e përkrah
-
Rama: Nesër në Asamble do të votohet për themelimin e kompanisë komunale “Pastrimi”
-
Rama thotë se kanë nisur themelimin e ndërmarrjes së re të pastrimit për Prishtinën